Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi mori konfirmimin nga laboratori gjerman Charite në Berlin se në mostrat e dërguara është identifikuar varianti britanik i COVID-19.
“Përmes mbështetjes së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 40 mostra u dërguan për analizë në laboratorin e Berlinit dhe të dhënat tregojnë për praninë e variantit britanik të virusit”, thuhet në njoftimin e ISHP.
Të dhënat Institutit për 24 orët e fundit, dëshmojnë një përkeqësim të situatës, me një rritje të rasteve të reja dhe shifra të larta të viktimave.Të martën u njoftua edhe për 476 raste të reja me koronavirus dhe 11 viktima.
Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, në pranverë të vitit të kaluar, Mali i Zi ka konfirmuar mbi 69,770 raste me koronavirus. Prej tyre 910 pacientë kanë vdekur.