Sot Kosova feston 14-vjetorin e Pavarësisë. Në praninë e krerëve më të lartë shtetërorë; presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës ngritën flamurin para objektit të Qeverisë.
Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të policisë, parakaluan në qendër të Prishtinës, në kuadër të manifestimeve me rastin e 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Përgjatë ditës udhëheqësit e institucioneve ngritën flamurin shtetëror, vunë kurora lulesh tek shtatoret e ish udhëheqësve politik e ushtarak të vendit dhe nderuan të rënët e të zhdukurit gjatë luftës së fundit.
Parlamenti i Kosovës u mblodh në seancë solemne për të shënuar këtë përvjetor, në të cilën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se liria e vendit ende nuk është përmbushur, pasi që ende mungojnë edhe mbi 1 mijë e 600 të zhdukur me dhunë, ndriçimin e fatit të të cilëve, tha ajo, po e mban peng Serbia.
