Bruksel: Mustafa takohet me Mogherinin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa është takuar këtë të enjte në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, e njëkohësisht zëvendëspresidente e Komisionit Europian, Federica Mogherini.

Gjatë takimi, siç njofton Qeveria e Kosovës në një komunikatë për shtyp, kryeministri Mustafa ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur rekomandimet  dhe kriteret për liberalizimin e vizave, duke shprehur besimin se BE-ja, së shpejti do të marrë një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Mustafa dhe Mogherini vlerësuan progresin e vitit të kaluar në marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe Kosovës, duke pasur parasysh që Marrëveshja për Stabilizim-Asociim do të hyjë në fuqi nga 1 prilli.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së theksoi rëndësinë e kësaj marrëdhënieje të parë kontraktuale mes BE-së dhe Kosovës, si dhe ripërsëriti përkushtimin e saj për të punuar me kryeministrin Mustafa dhe autoritetet në Kosovë, për të promovuar progresin në axhendën BE-Kosovë.

Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, ku mësohet se Mogherini ka shprehur besimin se, dialogu gjithëpërfshirës politik do të ndihmojë në tejkalimin e ngërçit në Kuvendin e Kosovës.

Shperndaje