Tarashaj për momentin refuzon Zvicrën

Shani Tarashaj është padyshim zbulimi i stinorit 2015-16 i futbollistëve shqiptarë në ligat evropiane,ai u bashkua në janar Evertonit për katër milionë euro, mirëpo ai ka mbetur në huazim te Grasshoppers deri në fund të edicionit.

Super talenti nga Kosova së fundmi ka marrë ftesë edhe nga Përfaqësuesja A të Zvicrës për dy ndeshjet miqësore që do t’i zhvillojnë me Irlandën dhe Bosnjën.

Por sulmuesi i ekipit zviceran nuk do të shkojë në grumbullim me skuadrën e Vladimir Petkovicit.

Këtë gjë e ka zbuluar ekskluzivisht për Telegrafin prizrenasi që po i çmend të gjithë me golat e tij.

“Është e vërtetë që kam marrë ftesën për dy ndeshjet miqësore me Irlandën dhe Bosnjën nga Zvicra A por që nuk do të jem në këtë grumbullim”, shprehet Tarashaj për Telegrafin.

“Arsyeja është që Përfaqësuesja U21 ka një takim tejet të rëndësishëm me Anglinë. Unë kam vendosur t’i ndihmojë pasi ata më kanë ndihmuar mua të rritem si futbollist”, thotë djaloshi i artë nga Prizreni.

Por a do t’i bashkohet Zvicrës A në ndeshjet e ardhshme Shania ende nuk ka një përgjigje definitive për këtë.

“Nuk e di, ta shohim të ardhmen dhe do të vendosi se kë do ta përfaqësojë”.

Kosova pritet të pranohet me 3 maj në UEFA, a mund të shohim në fanellën e vendlindjes tënde?

“Atë ditë janë duke e pritur me gëzim të madh të gjithë shqiptarët dhe natyrisht edhe unë e pres me padurim. Pse jo, Kosova është shtëpia ime dhe mund ta përfaqësojë, por të presim muajin maj pasi është afër dhe të shohim”, deklaroi Tarashaj për Telegrafin.
20-vjeçari ka shkëlqyer duke shënuar 11 gola në elitën e futbollit zviceran dhe ka dhuruar katër asistime.

E ardhmja e tij ende nuk është e qartë, pasi ai është në mes të Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës, por si duket kjo e fundit ka përparësi më të madhe për ta pasur në radhët e veta talentin e madh.

Shperndaje