Gjeloshaj: Pavarësisht ofertave për marrjen e postit ministror, do të qëndroj në pozitën e kryetarit të Komunës

Pavarësisht ofertave dhe propozimeve për marrjen e postit ministror, do të qëndroj në pozitën e kryetarit të Komunës së Tuzit, deklaroi kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj. Ai ka theksuar se për momentin nuk i intereson një gjë e tillë.

Këtu nuk bëhet fjalë për mospranimin e përgjegjësisë së postit ministror. Në këtë përbërje forcash në Mal të Zi dhe në këtë atmosferë të mbinxehur, do të jetë mjaft sfiduese të drejtosh cilën do ministri. Nuk kam frikë nga kjo, por në zgjedhjet e fundit lokale për Komunën e Tuzit më është dhënë mbështetja për ta udhëhequr atë si kryetar.

Filluam punën, formuam ekipe për punë dhe dëshmuam se dimë të ngrihemi me sukses fillimisht, e më pas të udhëheqim një komunë të sapoformuar.Komunën e mora kur u munduan të na bindin që nuk është ekonomikisht e qëndrueshme, kur Kryeqyteti në emër të planit financiar na dha “lëmoshë” më pak se dy milionë euro. Pas tre vitesh kemi arritur mbi katërfishin e buxhetit. Dhe që të jetë edhe më mirë, raporti i DRI-së për punën e Komunës na vlerësoi pozitivisht, gjë që, duhet ta pranoni, është një gjë e rrallë, sidomos për komunat – tha Gjeloshaj.

Për momentin, Gjeloshaj nuk dëshiroi të tregojë se cila ministri do t’u takojë./Malësia.ME/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!