PDK-AAK-NISMA arrijnë koalicion parazgjedhor, Haradinaj kandidat për kryeministër

Partia Demokratike e Kosovës ka arritur koalicionin më të madh parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt dhe Nismën për Kosovën të Fatmir Limajt.

Koalicioni i tri partive politike u zyrtarizua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në minutën e fundit të afatit zyrtar për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, kanë njoftuar zyrtarë të Komisionit, pak kohë pas mesnatës të së martes.

Marrëveshja tre palëshe, sipas zyrtarëve të tyre, parasheh që kandidat për kryeministër ta ketë liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, ndërkohë që bartës i listës zgjedhore do të jetë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Koalicioni parazgjedhor mund të quhet edhe “Koalicioni UÇK”, pasi të tre liderat, Kadri Veseli i PDK, Ramush Haradinaj i AAK dhe Fatmir Limaj i Nismës, kanë qenë komandantë lufte të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tri partitë arritën marrëveshjen e koalicionit pak orë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës nënshkroi marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacolli dhe me Alternativën e kryetares aktuale të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe deputetit Ilir Deda.

Zyrtarë të AAK-së në një konferencë me gazetarë, pas mesnate, thanë se “koalicioni PDK-AAK-Nisma është i imponuar bazuar në rrethanat e krijuara pas koalicioneve të tjera”.

Më herët gjatë ditës LDK njoftoi se ka vendosur që kandidat të saj për kryeminstër ta ketë ministrin e financave, në largim, Avdullah Hotin.

Ndërsa, lëvizja Vetëvendosje do të konkurrojë në këto zgjedhje e vetme, pa koalicione dhe kandidat i saj për postin e kryeministrit pritet të jetë Albin Kurti.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!