Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijella Gjuroviq, ka thirrur seancën e Parlamentit për të shtunën në orën 12:00, ku presidenti i zgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq do të bëjë betimin dhe do të marrë detyrën e presidentit.
Nga Kuvendi është bërë e ditur se presidenti i ri do të bëjë betimin në ditën e përfundimit të mandatit të paraardhësit të tij, Millo Gjukanoviq. “Ceremonia e inaugurimit të presidentit të Malit të Zi do të mbahet në Parlamentin e Malit të Zi”, thuhet në njoftim. “Pasi kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijella Gjuroviq, ta hapë seancën, do të intonohet himni, pas së cilës presidenti Millatoviq do të bëjë betimin dhe do të mbajë fjalimin inaugurues, i cili do të shënojë marrjen e detyrës si President i Malit të Zi. Pas seancës ceremonia do të vijojë përshëndetjet ushtarake në pllatonë para Kuvendit të Malit të Zi”, thanë nga Kuvendi.
Në këtë ceremoni, siç është paralajmëruar, do të marrin pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ai i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Bosnjë Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe disa kryetarë tjerë e diplomatë të vendeve të rajonit dhe ndërkombëtarë.