Zjarre të shumta në zona të ndryshme të vendit

Këtë periudhë të vitit, në këto hapësira, rëndom e karakterizojnë temperatura të larta të cilat mjaft shpesh arrijnë deri në 40 gradë celsius. Moti i tillë shkakton telashe të shumta për banorët, në rrjedhën normale të jetës së përditshme sidomos në kryerjen e obligimeve të rregullta të domosdoshme edhe krahas kushteve të motit.

Mirëpo ajo që duhet veçuar si dukuri mjaft të shpeshtë në këtë periudhë janë zjarret e shumta pothuajse në çdo pjesë të vendit.Në dhjetë ditët e fundit janë shkaktuar qindra zjarre në zona të ndryshme; në afërsi të lagjeve të banuara, përgjatë rrugëve dhe madje edhe në afërsi të zonave urbane. Shërbimet për mbrojtje dhe shpëtim janë treguar mjaft efikase në lokalizimin e zjarreve të tilla dhe për fat, deri më tani nuk kanë shkaktuar pasojat më të rënda.

Prej dje ka shpërthyer një zjarr mjaft i madh edhe në malin Deçiq, në territorin e KU të Tuzit, i cili, sidomos gjatë natës, dukej mjaft i frikshëm pasi përfshinte sipërfaqe bukur të madhe të këtij mali, i cili pothuajse çdo vit përfshihet nga zjarri në gjithë sipërfaqen e tij. Edhe pse në këtë pjesë është i pabanueshëm, prapëseprapë, zjarri gjithherë shkakton dëme dhe është rrezik potencial për banorët përreth. Poashtu në territorin e KU tëTuzit zjarri nga dje ka shpërthyer edhe në Skorraq dhe në Malin e Kakarriqit.

Zjarri më i vështirë ishte mbrëm te Shtëpit Rakiq, ku zjarri kishte kapluar Restorantin dhe magazinen prej 1000 metra katrorë të firmës Sonita e cila ishte e mbushur plotë me mallra. Në këtë objekt u shkaktun dëme të mëdha materiale.

Këtyre ditëve është duke fryrë erë e fortë pothuajse në gjithë vendin, edhe shuarja e zjarreve është shumë më e vështirë pasi era e fortë e shpejton hapjen e tyre. Ajo që mund të pritet nga vet qytetarët është të jemi të vëmendshëm dhe që, së paku, me asnjë veprim të mos jemi shkaktar të zjarreve sepse pasojat gjithherë janë të përbashkëta.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!