Trieshjanët dhe Kojasit mposhtën trimërisht ushtrinë malazeze rreth vitit 1860

Gjekë Gjonaj

Mbas kësaj luftë u ulën krerët ( prijësit)   e Maleve në Shkodër, për të diskutuar mënyrën se  si  duhet vepruar  që të mos  ndodhë më ndonjë  sulm tjetër. Pa kaluar  ende kufijtë e fshatit  mbërritën ( erdhën) dy malësorë, dy të shitur të Malit të Zi për të këshilluar Malin ( lexo Triepshin)  që  me të mirë t’i bie në dorë princit dhe të mos nxisin më urrejtjen e tij . Ata thanë se  Princi i kishte dërguar në Triesh  dhe se  e kishin pushtetin ( autorizimin) për të urdhëruar.  Fshati ( katundi) , pasi u mendua pak, ua preu shkurt,  dhe u  tha se nuk kanë se si t’u japin kurrfarë përgjigje pa pasë   fjalën e Pashës së Shkodrës . Me kaq i përcollën.

Atë ditë në Mal të Triepshit mbretëronte një tmerr. Një trishtim, dhe terrorizëm vdekjeje. Shumë  njerëz prej Nikmarashit kishin filluar t’i mëshefin  sendet e shtëpisë ,  t’i largojnë  gjënë e gjallë ( bagëtinë)   dhe të rrinë  gati për luftë me armë në dorë, duke pritur çastin ( momentin)  se kur do të kriste, të gatshëm   mos ta lëshojnë  pa vdekur , ose pa mbetur në ato shkrepa  të fshatit të vet.

Porsa Koja  ua dha kushtrimin Maleve përreth Fundnave dhe Grudës, me shpejtësi të madhe si vetima u ngritën ( çuan ) në këmbë, zunë pritat dhe u bënë gati për luftë të rreptë e cila   sipas gjasave do të fillonte. Por  deshi Zoti e  atë ditë nuk ndodhi  asnjë gjë e keqe për asnjërën lagje.

Më 4 tetor mbërritën krerët  nga Shkodra  me atë  këngë tradhtarësh  të Pashallarëve që e kishin gjithmonë zakon.“ Mos kini gajle se kërrkush nuk ka për t’ju  prekë”. Po këtë këngë ma kishte kënduar edhe mua konsulli  i Francës. Z. Heequart;  duke më zemëruar shumë me këtë këngë, u mundova t’ua  largoj     pak  Malësorëve   turbullirën që  i kishte  përfshirë. Kur  morën vesh  se  ushtria malazeze  do të hyjë nesër në Triepsh,  se do të bëjë poterë të madhe, dhe  do t’u japë flakën shtëpive  të  tyre, ata  u qetësuan;    duke u besuar fjalëve të mia shkuan të shkretët atë natë  të flejnë pa frikë ( droje).

Por,  pa zbardhur ende  mirë dita ,  krisma e topave dhe britma e malazezeve i zgjoi nga gjumi malësorët, të cilët  duke rrokur armët , iu përgjigjën armiqve me një trimëri vërtetë të mrekullueshme, që dukej vetë dora  e Hyut mbi ta. Malazezëve atë ditë  lufta u  shkoi fort mbrapsht dhe  u mposhtën  me turp të madh.

Zotëri Borovischa,    konsulli i Austrisë,  më shkruante vazhdimisht   duke më këshilluar me fjalë të  bukura që unë t’i zemëroj  Malësorët , që të qëndrojnë  kundra armikut pa frikë.

Një ditë para ardhjes së  krerëve  të këtyre  Maleve nga Shkodra , Spahi  Joku kishte shkuar në Fundna me fjalë të Princit, për të këshilluar edhe këtë fshat ( katund)  që t’i bie   në dorë Malit të Zi, sikur kishte bërë në Triepsh. Por as këtu nuk i shkoi puna siç e kishin  planifikuar. Një çetë  djemsh   e kundërshtuan ashpër , e kërcënuan aq sa  aty për  aty deshën  t’ia shkurtojnë jetën  sikur mos të kishin ndërhyrë disa pleq të Katundit, të cilët e morën  në dorë e në besë të Zotit deri të nesërmen, kur pa zbardhur dita e nisën  mbrapshtë prej kah kishte ardhur.

Më 18 tetor populli i Triepshit lutej para altarit     që t’u ndihmoj i Madhi Zot, kur u dha lajmi se Koja ishte duke ikur përsëri me bagëti dhe duke marrë majat e  duke zënë pritat. Popull i madh mësynte majat e Medunit. S’mund të ishte tjetër veçse  ushtria e Princit të  Malit të Zi, që ishin nisur për të pushtuar Trieshin, Kojën  e Fundnat.  Popullatës vendase  u kishte  u kishte hyrë në fytyrë dhe në zemër një egërsi e trishtueshme e vdekjes . Dëgjoja shumë vetë  që i mallkonin  premtimet tradhtare të Pashës dhe  të konsullatave të Shkodrës.

Partia e Malit të Zi  përpiqej  me gjithë shpirt që t’i këshillojë shokët e vet Malësorët , që t’i  nënshtroheshin urdhërit të  Princit;  mos ta  detyrojnë atë të të bëjë   mizori të madhe për të zaptuar katundin . Mgjithatë  këtyre tanëve ( lexo malësorëve)  nuk u frikësohej syri aspak ; përgjigjeshin që nuk u shkon ndërmend asnjëherë që t’u bien në dorë  dhe se do të qëndrojnë deri në  plumbin e fundit  në rrypin që kishin  ngjeshur, dhe se së fundmi  do të luftojnë fyt për fyt me tagana të gjatë; ky ishte mendimi i të gjithëve, domethënë  të vdesin  për vend të vet.

Ajo ditë, për këto dy famulli ishte  ditë tmerri e trishtimi: Koja nuk pushonte duke lëshuar kushtrimin  e duke kërkuar ndihmë ; topi nga shkrepat e Medunit nuk pushonte me zhurmën e vet duke u   drejtuar  kah ne. Rreth 40 prej Kuçit   u ndanë  prej grumbullit të  ushtrisë malazeze, për të rrethuar afro 20 Kojas, të cilët sapo  e hetuan  dredhinë, iu qasën njërës shtëpi9dhe prej andej me trimëri e mjeshtri luftarake e dërmuan atë çetë armike. Të gjithë prisnin pa frymë se kur po ia fillonte   përleshja e  fundit, e cila  nuk ndodhi.

Pasha i Shkodrës  më shkruante të qëndroj dhe më çonte së bashku fishekë për Malësorë. Atë natë  dy herë dy çeta malazeze mësynë Malin e Kojës, jo për tjetër veç sa për t’i ngacmuar ( provokuar)    Malësorët tanë që të   fillojmë pushkën përpara, për arsye se kështu, si dukej, ishte vullneti  i Princit.

Sa ishte duke u përgatitur një luftë më e madhe  nga të dy lagjet,  mbërriti një letër prej Konstantinopolit në të cilën thuhej se Mali i Kuçit nuk do të qëndrojë më  nën Mal të Zi , si deri asohere, por tash e tutje do të jetë  një pjesë e Turqisë. Ali Pasha u çua e shkoi  në Podgoricë me pak ushtarë  dhe  me dy topa për t’ia dhënë zyrtarisht Malit të Zi këtë lajm të fundit se  do t’i ndalë    një herë e përgjithmonë kundërshtimet e luftërat për shkak të kufijve.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!