Cakaj takimi me Bujar Osmanin, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë .V

Me rëndësi zhvillimi i mbledhjes ndërqeveritare

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndodhet në Shkup, ku po zhvillon një vizitë zytare dy ditore. Këtë vizitë, Kryediplomati Cakaj e nisi me një takim me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Në fokus të takimit të zhvilluar ishin diskutime mbi mbajtjen e mbledhjes së ardhshme ndër-qeveritare me theks të veçantë në vazhdimin e punëve për ndërtimin e rrugës së Arbërit, interkoneksionit Manastir-Elbasan e menaxhimit të mirë të Liqenit të Ohrit. Gjithashtu, homologët theksuan fuqimisht domosdoshmërinë e punës së përbashkët për të avancuar më tej me procesin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Më tej, Kryediplomati Cakaj shprehu se me Ministrin Osmani ndanë të njëjtën pikëpamje, atë të dialogut Kosovë-Serbi, i cili duhet të përfundojë qartë dhe prerë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.

Ahmeti – Cakaj: Takim i përzemërt dhe vëllazëror, bashkë jemi në rrugë të mbarë

Ministri Cakaj gjatë ditës takoi edhe kryetarin e BDI, Ali Ahmetin.

Ahmeti gjatë këtij takimi me z.Cakaj ka thënë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore dhe që të tilla do të mbeten përherë.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Cakaj i ka thënë se beson që gjatë periudhës që vjen partneriteti dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të zgjerohet në funksion të paqes, stabilitetit dhe mirëqenies rajonale për të përmbushur synimin tonë të përbashkët strategjik të integrimit në Bashkimin Evropian.

Ahmeti dhe Cakaj diskutuan edhe për marrëveshjen e Uashingtonit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ata vlerësuan se ky vendim është një hap para drejt marrëveshjes përfundimtare për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.



Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!