Lumnije Rexha – Bisha, “Duart tona punëtore”, libër edukativ për fëmijët

0

Edukatorja Lumnije Rexha – Bisha ka botuar këto ditë librin „Duart tona punëtore“, i cili iu dedikohet fëmijëve të moshës parashkollore 3-6 vjeç.

Libri është hartuar sipas fushave kurrikulare: zhvillimi gjuhësor, matematikor, shkencor, artistik, social dhe shëndetësor. Sipas autores, me këtë libër fëmijët mund të punojnë lirshëm, të argëtohen, të zhvillojnë intuitën, aftësinë për të vrojtuar. Redaktore e librit është Gjylije Kurti, recensent Asllan Bisha, lektor Ismet Kallaba, korrektore Lafe Osmani, konsulente Miranda Maniq, Fiqirije Guçi, Elmadije Maraj, Suada Taipi, Arta Luka dhe Drita Tafiq, radhitja kompjuterike është bërë nga Iliriana Bisha – Tagani, kurse faqosja nga Gazmend Çitaku.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Lumnije Rexha – Bisha punon në Institucionin Publik Parashkollor “Solidariteti” në Ulqin. Krahas punës së saj për edukimin e fëmijëve, ajo merret me përgatitjen dhe hartimin e teksteve për fëmijët e moshës parashkollore, si e vetmja autore shqiptare në Malin e Zi e cila përpilon tekste që i kushtohen kësaj grupmoshe.

Deri tani ka botuar librat: “Hapi krahët” (2011), “Gjëegjëza, fjalë të urta” (2012), “Gëzohuni fëmijë” (2015) dhe “Duart tona punëtore” (2020).

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 150 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

Image preview
error: Të drejtat e rezervuara !!