Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua te premten në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
Kryeministri kosovar tha se me dinamiken e përcaktuar me qeverisjen e re është përshpejtuar edhe procesi i përmbushjes së Axhendës së Reformave Evropiane dhe kriteret e përcaktuara me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Siç raporton Europa e Lirë, Haradinaj e bëri të qartë se Kosova është e përkushtuar dhe po punon për reformat në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, arsim e shëndetësi dhe synon që të arrijë deri në fund të vitit 2018 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Edhe këtë herë, ai nënvizoi rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Haradinaj, vijon komunikata, tha se Kosova ka mbetur vendi i fundit dhe i vetmi në Evropë pa lirinë e lëvizjes dhe se përshpejtimi i këtij procesi do të ndihmonte qytetarët dhe vendin.
Ai theksoi se Kosova ka përmbushur detyrimet e saj në këtë proces dhe shtoi se kriteri i mbetur i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ka nisur te adresohet me fillimin e punës së komisionit të ri shtetëror.
Në takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha./Top Channel/