UNSH: Zhvillimin ekonomik të Malësisë prej Trieshit në Vllanë e prej Dinoshës në Traboin e siguron vetëm Forumi Shqiptar

UNSH : Pse duhet votuar Forumin Shqiptar ?

Janë caktuar për më 5 mars 2023 zgjedhjet lokale për Komunën e Tuzit . Ende nuk dihen të gjithë pjesëmarrësit në to, por dihet se tri partitë kryesore shqiptare që përbëjnë Forumin Shqiptar – Alternativa Shqiptare ( ASH) , Lidhja Demokratike Shqiptare ( LDSH) dhe Unioni Nacional Shqiptar ( UNSH) kanë krijuar koalicion parazgjedhor dhe do të dalin me një listë .
Udhëheqësit e këtyre partive shqiptare janë shumë optimistë se lista e Forumit Shqiptar do të fitojë bindshëm dhe se vota e dhënë për këtë listë do të ketë vlerën më të madhe. Pse?


Pikë së pari, për arsye se partitë e këtij koalicioni e kanë ngritur në nivel të misionit veprimin politik që , pos zhvillimit ekonomik, do të ketë në qendër të vemendjes kultivimin dhe përparimin e qenies nacionale dhe fetare të Malësisë . Pra, kanë vendosur që anëtarët e tyre, katolikë e myslimanë , të punojnë së bashku e si vëllezër , ashtu si i ka dhënë Zoti , dhe së bashku të ruajnë dhe të përparojnë qenien nacionale të Malësisë , ku shumicën e kanë bërë e do ta bëjnë shqiptarët .


Asnjë forcë tjetër politike nuk mund të kujdeset për zhvillimin e Malësisë dhe për sigurimin e të gjitha të drejtave për të gjitha identitetet e saj , qofshin ato shumicë apo pakicë , si partitë shqiptare . Kështu është kudo në Europë , në trevat ku pakicat janë autoktone dhe bëjnë shumicën . Partitë nacionale mbajnë pushtetin në nivele lokale ku pakicat janë autoktone dhe bëjnë shumicën . Ato krijojnë partnerizëm me pushtetet qendrore , për të avancuar rregullat demokratike që krijojnë ambiente të shëndetshme për zhvillimin e shoqërive multinacionale. S’ka pse dhe nuk mund të jetë ndryshe as në Mal të Zi .
Për krejt këtë duhet të kihen ekipe të ekspertëve të shkolluar , të cilët dijnë të kujdesen për zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror. Forumi Shqiptar i ka krijuar dhe po i zgjeron çdo ditë edhe ekipet e tilla. Zhvillimi ekonomik i Malësisë është në duar të sigurta të kuadrove të shkolluara të partive shqiptare , që kanë filluar të ndryshojnë pamjen e Malësisë , prej Trieshit në Vllanë e prej Dinoshës në Traboin .


Përveç anagazhimit të ekipeve të ekspertëve , kjo është bërë e mundur edhe falë menaxhimit të shkathtë të kryetarit aktual të Komunës, z.Nik Gjeloshaj , gjë që e ka rekomanduar që Koalicioni t’i besojë kandidaturën për kryetar të Komunës edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar . Në bashkëpunim me kryetarët e partive partnere , zotërinjt Ferhat Dinosha e Nikollë Camaj , përvoja politike e të cilëve është e pakontestueshme , Malësia mund të llogarisë në zhvillim të qendrueshëm e stabil .


Së këndejmi , është për tu pritur se Forumi Shqiptar do të marrë pushtetin në Malësi pa pasur nevojë për koalicione paszgjedhore me subjekte politike që interesat partiake i kanë para interesit të Malësisë .
Këtë pritshmëri e shton edhe fakti që Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) ka humbur pushtetin në Podgoricë dhe ajo nuk ka çka të premtojë në Tuz , ku deri më tash ka pasur numër të konsiderueshëm te votave . Kësaj radhe vota për PDS dhe satelitët e saj do të shkojë huq .
Valorizimin e plotë të votës në zgjedhjet e 5 marsit e siguron vetëm lista e Forumit Shqiptar , fitorja e të cilit do ta gëzojë edhe diasporën tonë . Sepse, ajo që kurrë nuk e ka kursyer ndihmën për vendlindjen , e do Malësinë në duart e partive shqiptare. Ne do t’ia bëjmë qejfin asaj dhe vetes .
Me fat fitorja e 5 marsit !

UNSH

Shperndaje