Kuvendi i Malit të Zi shkarkoi sot ministrin e punëve të brendshme Rashko Konjeviq.
Kuvendi, me shumicë votash, votoi pro shkarkimit. Për shkarkimin e Konjeviqit votuan 42 deputetë, kundër votoi vetëm deputeti i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj.
Për shkarkim votuan deputetët e PDS,Social Demokratet,Mali i Zi pozitiv,Forca,PartiaBoshnjake,Partia Liberale dhe IQ Kroate.Deputetët e SDP dhe SNP ishin të pranishëm por nuk votuan përveç Snezhana Jonica (SNP), e cila e ka mbështetur propozimin e Qeverisë.
Kryeministri Millo Gjukanoviq ia ka dorëzuar me 1 shkurt Kuvendit propozimin për shkarkimin e Konjeviqit duke theksuar se ministri Konjeviq, pasi që qeveria në mbledhjen e parlamentit me 27 janar ka fituar votëbesimin, i ka propozuar që ta dorëzojë propozimin për shkarkimin e tij. “Duke respektuar kërkesën e ministrit Konjeviq, i propozoj Kuvendit të Malit të Zi që ta shkarkojë atë nga funksioni i anëtarit të qeverisë e ministër i punëve të brendshme”, ka theksuar Gjukanoviq në propozimin drejtuar kryetarit të Parlamentit.
Kolegiumi i kryetarit të Kuvendi e ka refuzuar propozimin që debati për shkarkimin e Konjeviqit të shtyhet për javën e ardhshme, transmeton gazeta “Vjesti”. Një pjesë e anëtarëve të kolegiumit ka propozuar dje që për shkarkim të debatohet pas përfundimit të dialogut parlamentar, gjë që u refuzua me shumicë votash, njoftojnë mediat./Malësia.ME/