Në jubileun e pavarësisë së Kosovës, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka mbledhur kryetarët e komunave të Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit, të cilët vendosën formimin e Sekretariatit teknik dhe vendosjen e selisë qendrore në Tiranë.
Në takim moren pjesë delegacionet nga Tirana, Presheva, Tetova, Gostivari, Prizreni, ndërsa komuna e Ulqinit u përfaqësua nga nënkryetari Arian Murati dhe Sabri Salaj.
Siç njoftoi Murati, Unioni i Bashkive Shqiptare themeloi sekretaritin e përhershem me seli në Tiranë ku dhe u propozua buxheti dhe aktivitet tematike për vitit 2018. Mbledhja e radhës mbahet në Tetovë në muajin shtator, tha Murati.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, siguroi se Unioni i Bashkive Shqiptare do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të ecur më tej në projekte konkrete të përbashkëta. “Jam shumë i lumtur që Tirana do të jetë selia e Sekretariatit të Unionit. Kemi vendosur ta fuqizojmë këtë Sekretariat edhe me financa, duke caktuar në Tiranë një drejtues ekzekutiv dhe përfaqësues të të gjitha njësive tona.
Veliaj, në këtë mbledhje, u shpreh se Unioni i Bashkive Shqiptare do të ketë të gjithë mbështetjen e domosdoshme për të përshkuar më tej projekte konkrete të përbashkëta. Ai tha se nuk ka kurrfarë drame mbi atë që po realizojmë dhe kurrfarë axhende sekrete.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti deklaroi se Unioni është një mundësi shumë e mirë e shkëmbimit të përvojave dhe projekteve të suksesshme, dhe se tashmë është koha e bashkëpunimit. “Kur u bë takimi i parë, pati zëra të ndryshëm: ‘Po bëhet bashkimi kombëtar’, ‘Komunat shqiptare po bëhen të gjitha bashkë’. E themi sërish: Ne po bëjmë shkëmbim të përvojave të komunave shqipfolëse. Së pari, nuk kemi nevojë për përkthyes, e së dyti, është koha e bashkëpunimit. Është absurde të bashkëpunojmë me komuna të tjera para se të bashkëpunojmë edhe me njëri-tjetrin”, u shpreh Ahmeti.
Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës duke uruar dhjetëvjetorin pavarësisë së Kosovës ka thënë se me takimin e sotëm kanë vendosur bazën e së ardhmes së Unionit që ka për qëllim të shërbej për të gjithë shqiptarët.
Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit me këtë rast ka uruar qytetarët e Kosovës për Pavarësi dhe ka thënë se Unioni i komunave shqiptare është model i shteteve evropiane për të bashkëpunuar njëra me tjetrën./Malësia.ME/