Libri dhe shqiptarët

Në ditët e sotme, rëndësia që njerëzit i japin leximit të një libri, po vjen duke u zvogëluar, kjo për shkak të harxhimit të kohës së tyre me veprimtari të tjera të cilat i konsiderojnë më zbavitëse, si përshembull, lundrimi në rrjete sociale, ose thjesht marrja me politik ditore etj. Duke qenë se këto zakone po nguliten në kokën e tyre që në fëmijëri, në të ardhmen ata nuk do t’i kushtojnë librit rëndësi të madhe dhe kështu bota e librit për ta do mbetet gjithmonë diçka e panjohur ose më mirë të themi, një derë kryesore e pahapur në jetë.

Të lexuarit e një libri na ndihmon të njohim një botë më të madhe sesa ajo në të cilën jetojmë. Na stimulon të jetojmë më shumë se sa një jetë, duke na bërë të hedhim poshtë thënien: “Kemi vetëm një jetë për të jetuar”. Na bënë të udhëtojmë në vende të ndryshme të botës. Na jep mundësin të njohim njerëz të cilët kanë jetuar me të vërtetë ose thjesht kanë qenë pjesë e imagjinatës së një shkrimtari, pra na bën të njohim personalitete nga më të ndryshmet. Duke na mundësuar kështu të mësojmë nga ata historinë e tyre, si kanë qenë, çfar kanë bërë, si kanë jetuar, si ja kanë dalë mbanë etj. Duke lexuar ne përjetojmë eksperienca nga më të ndryshmet. Por edhe pse fizikisht trupi ynë nuk i ndjen, truri jonë stimulohet të mësojë nga ato eksperienca.

Ka nga ata që lexojnë, por ka dhe nga ata që shkruajnë. Sipas meje, puna e shkrimtarit është një nga punët më të lodhshme që ekziston, kjo për arsye se ata duhet ta çojnë mendimin e tyre deri në limitet e imagjinatës për të krijuar diçka e cila do ta ngacmonte lexuesin. Të shkruash libra të vërtetë, nuk është e lehtë. Të shkruarit e një libri, është një përpjekje sfilitëse një sëmundje e gjatë, që kërkon t’i rezistosh me besim të madh tek vetja se do fitosh mbi të. Kush shkruan libra, prish qetësinë jo vetëm të vetes, por edhe ate familjar. Prish gjumin, prish rahatinë, privon shumë kënaqësi të jetës. Ato libra, që shkruhen pa u lodhur, pa investim kulturor, janë të lodhshme dhe pa interes për lexuesin. Libri është pasqyrë e realitetit shoqëror, për një epokë të caktuar. Libri është kulturë, dije, informacion, ndjenjë, emocion dhe fantazi. Libri ka lule dhe plagë, që tregojnë fytyrën e shoqërisë njerëzore. Libri është i bukur, kur me gjuhë letrare thotë të vërtetën. Libri ka vetëm një gjykatës të ndershëm dhe ai është lexuesi. Lexuesi është konsumatori, vlersuesi dhe kritiku i rreptë i një libri.

Libri është vepër e shkrimtarit, është copa e shpirtit të tij, është shkëndijë e mendjes së tij, ndaj i vetmi që duhet të përfitoj është shkrimtari, autori. Libri nuk është prodhim i shtëpisë botuese, as prodhim i ministrisë së kulturës! Mbi të të gjitha, libri është pronë intelektuale e autorit! Libri për vulë ka autorësinë e shkrimtarit! Për librin mind të flasin vetëm shkrimtarët, ndërsa dashamirët e librit mund të japin ndonjë vlerësim kryekëput subjektiv! Libri shkruhet për të dëshmuar gjuhën si shtyllën kryesore të kulturës së një etnie, libri nuk shkruhet për t’u bërë mall tregtie apo për përfitime të segmenteve të caktuara që librin e shohin vetëm si relikt tezgash! Këtë e themi nga shkaku se kohëve të fundit nga disa individë (me mentalitet manipulues) theksohet se ministritë përkatëse, po bëjnë gabim që sponzorojnë autorë. Pra, sipas tyre, asnjë  autorë nuk duhet të vet-botohet, por në kuadër të shtëpisë botuese dhe rrjedhimisht, kontratat duhet të lidhen ekskluzivisht në mes të ministrisë të kulturës dhe shtëpive botuese!

Kur është fjala te shqiptarët e Malit të Zi, lirishtë mund të themi se nuk mund të ankohen sa i përket botimit të librit. Vitë për viti fal mbështetjes financiale të Fondit për Mbrojtjen dhe Realzimit e të Drejtave të Pakicave dhe Ministrisë së Kulturës botohen libra të ndryshëm me bollëk. Është çështje tjetër që herë pas herë dëgjohen zëra për krizë të leximit. Mungesa e madhe e kritikës, mungesa e trajtimit nga ana e mediumeve, por edhe mungesa e një kontrolli institucional, ka bërë që 90 për qind e këtyre botimeve të jenë gjithçka tjetër, por jo edhe produkt që do të mund të quhet LIBËR.

Në fakt, në fushën e botimeve ka kohë që mbretëron një anarki e vërtetë, e cila vazhdon të ushqehet në mënyrë të pavetëdishme. Botimi i titujve pa vlerë e përcjell një indiferencë e çuditshme, por edhe një heshtje e turpshme. Edhe për këtë të keqe që ka katandisur shoqërinë shqiptare mungon debati, po qoft ky edhe debat sipërfaqësor. Botimi është bërë më shumë modë se sa nevojë shpirtëror. Tendenca e botimit të “librave” të atyre shumë individëve që gjetën “hapësirë pjellore” për t’u bërë me tituj AUTOR libri, tregon se, si pasojë e mungesës së një mekanizmi kontrollues, pasi që këta tituj nuk e kanë as nivelin e një hartimi të thjeshtë shkollor.

Natyrisht, nuk duhet pritur që dikush të skuqet nga kjo zallahi që i bëhet librit shqip, sepse akoma vazhdon të trajtohet si çështje e dorës së dhjetë. Kjo fatkeqësi ka bërë që të prodhojë të tjera absurde, të cilat gjejnë vend të volitshëm në mentalitetin provincional, të cilin mentalitet e kultivojmë me një pasion të çuditshëm. Bëhet fjalë për numrin bukur të madh të “festivalëve e takimeve poetike”, në të cilat lexohen fjalë të hedhura në letër (e letra duron gjithçka). Kurrë nuk pati përpjekje që shqiptarët në Mal të Zi t’i tejkalojnë klanet e ndryshme “letrare”, por edhe ta lënë anash mentalitetin provinciale dhe të organizojnë në festival të vërtetë poetik, me të gjitha nishanet e duhura. Mos të flasim për promovimet tragjike-komike, që janë bërë dukuri pothuajse të përditshme, në të cilat shkohet ose për të defiluar politikanët lokal ose për të ngrërë KIKIRIKI. Pra “interesimi” për librin përfundon te kikirikit. Dhe këtu mbyllet gjithçka.

Që të shpëtohet libri shqip nga abuzimet e shumtë, së pari duhet ndarë shapi nga sheqeri dhe duhet ditur se çfarë është poezia dhe proza. Çfarë është punimi shkencor e kështu me radhë. Kurse kjo ndërlidhet me sistemin e arsimit shqip (që është në gjendje kome), sepse njohuritë elementare rreth gjuhës e letërsisë merren vetëm përmes procesit të shkollimit të shëndoshë, të cilin proces shqiptarët (në Mal të Zi) që moti e kanë harruar, duke ia lënë shtegun hapur atyre elementeve që në parim janë analfabetë, por të cilët politika e “dorës së fortë” i bëri promotorë të akulturimit të shqiptarëve.

     Qani  Osmani

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!