Kriza politike në Maqedoni, krerët politikë thirren në Vjenë (Video)

Moszbatimi i marrëveshjes së arritur verën e kaluar mes 4 udhëheqësve politikë në Shkup ka thelluar krizën politike në vend.

Zhvillimet e javës së fundit, pas vendimit të Presidentit maqedonas George Ivanov për të falur 56 politikanë nën hetim, kanë alarmuar bashkësinë ndërkombëtare.

Në tentativë për të rikthyer normalitetin në Maqedoni, 3 eurodeputetët – Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Richard Howitt, – kanë ftuar në një takim në Vjenë të Austrisë udhëheqësit e 4 partive kryesore të Shkupit.

Takimi mes Nikola Gruevskit, Zoran Zaevit, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit është caktuar të mbahet ditën e premte, ndërsa në të është parashikuar që të marrë pjesë edhe Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, si dhe ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve në Maqedoni, Aivo Orav dhe Jess Baily.

Ditë më parë, komisioneri Hahn është shprehur i shqetësuar për situatën politike në Maqedoni dhe ka ftuar partitë politike, që t’u kthehen tavolinës së bisedimeve dhe rrugës së integrimit. Ai paralajmëroi gjithashtu Shkupin se, bashkësia ndërkombëtare nuk do ta njohë qeverinë e re të Maqedonisë, nëse zgjedhjet nuk do të jenë demokratike./Top Channel/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!