Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Skënder Durmishi, ka folur për ‘Gazetën Blic’, për rëndësinë e fitores së Millo Gjukanoviq për President, ndikimin e votës së shqiptarëve në zgjedhjen e tij si dhe raportet ndër fqinjësore mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Gazeta Blic: Si është parë dhe komentuar ndër shqiptarët e Malit të Zi fitorja e z. Milo Gjukanoviq për President?
Skënder Durmishi: Është mirëpritur, natyrisht është fitore për të cilën kanë kontribuar me votën e tyre. Vota e shqiptarëve për z.Gjukanoviq është shprehje e besimit dhe vazhdim partneritetit mes tyre.
Gazeta Blic: A mund të thuhet se z.Gjukanoviq, në përgjithësi, ka pasur përkrahje të gjerë nga shqiptarët e Malit të Zi?
Skënder Durmishi: Po, mund të thuhet se ka pasur përkrahje të gjerë. Ky është vlerësimi më i saktë. Disa drejtues të subjekteve politike janë deklaruar madje ndër të parët , disa më vonë por përkrahja është e gjerë. Drjetues të partive politike shqiptare, këtu mendoj tek partnerët e koalicionit qendror, gjatë fushatës dhe në konventat kryesore të z.Gjukanoviq ku kanë bërë thirrje pa ekuivoke për të votuar z.Gjukanoviq. Ata vetë kanë theksuar se partneriteti mes tyre është i dëshmuar praktikisht dhe z.Gjukanoviq ka besimin e tyre edhe për të ardhmen. Në fakt, u dëshmua se z.Gjukanoviq ka fituar mbështetje të fuqishme nga shumica e qytetarëve të Malit të Zi, pavarësisht nga përkatësia etnike e tyre.
Gazeta Blic: A kanë ndikuar në këtë përkrahje edhe thirrjet e liderëve shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria?
Skënder Durmishi: Besoj se po. Mendoj se thirrjet nga Kosova dhe Shqipëria janë dëgjuar me vëmendje nga qytetarët shqiptarë në Mal të Zi dhe u është dhënë rëndësi e veçantë me rastin e drejtimit tek kutia e votimit. Është e kuptueshme dhe reciproke. Subjektet politike kanë pasur kontakte në nivele partiake , po ashtu, sic është praktikë kudo.
Shikuar në një plan më të gjerë kjo është e kuptueshme sepse bëhet fjalë për orientim strategjik i njëjtë të këtyre vendeve. Jo rastësisht nga liderët e rajonit u përshendet shpejt fitorja e z.Gjukanoviq. Te gjithë pothuaj vunë në dukje se fitorja e tij, pra kursi e programi i tij politik, që fitoi në këto zgjedhje, janë fitore e dhe për rajonin. Me z.Gjukanoviq fqinjësia e mirë, partneriteti e stabiliteti rajonal, kursi euro-atlantik i integrimeve, energjia pozitive e bashkëpunimit, kanë një zë të fuqishëm dhe një përkrahje aktive.
Gazeta Blic: A do të kishte qenë më pak e bindshme fitorja e tij pa një përkrahje të shqiptarëve?
Skënder Durmishi: Natyrisht, do të ishte me e paktë në çdo aspekt. Me votën e shqiptarëve fitorja e z. Gjukanoviq ka më shumë numra, ka më shumë shtrirje gjeografike, pra më shumë edhe legjitimitet.
Gazeta Blic: A ka ndihmuar Ambasada jonë (Kosovës) në forcimin e këtij disponimi te shqiptarët për ta përkrahur dhe votuar z.Gjukanoviq?
Skënder Durmishi: Ambasada, dihet se çfarë është roli i Ambasadës tonë dhe i çdo ambasade. Nuk ka rol në fushatë, përveç kur është ftuar nga autoritet që menaxhojnë me zgjedhje për monitorim ,vëzhgim , etj.
Gazeta Blic: Si Ambasador, jeni më i familjarizuar me rrethanat atje. Sa do të ndikojë, në përgjithësi, fitorja e z. Gjukanoviq në mirëqenien, avancimin e të drejtave dhe, në përgjithësi, zhvillimin e komunitetit shqiptar atje?
Skënder Durmishi: Përvojat e deritashme më bëjnë të besoj se do të ketë ndikim pozitiv e afirmativ. Një pjesë e mirë e marrëveshjeve të partneritetit qeveritar, ku bëjnë pjesë edhe disa subjekte politike shqiptare, janë realizuar, disa janë në proces por trendi është duke lëvizur pozitivisht. Kjo është me rëndësi, pra procesi.
Ka edhe vërejtje e pakënaqësi sidomos me dinamiken e realizimit të këtyre marrëveshjeve, (përfaqësimi institucional, kualiteti i shkollimit, çështje të caktuara të kompetencave në nivele lokale, etj.) por fitorja e z. Gjukanoviq është konfirmim i kursit strategjik që e ka për prioritet partneritetin rajonal, respektin e të gjitha komuniteteve dhe të drejtave të tyre, tolerancën ndërfetare, ekonominë e tregut të lirë. Kursi i reformave, standardet politike e ekonomike që po plotëson dhe duhet të plotësojë Mali i Zi për të hyrë në BE, natyrshëm do të reflektohen edhe në mirëqenie e prosperitet të shqiptarëve në Mal të Zi.
Por, nuk duhet harruar se edhe shqiptarët kanë pjesën e vetë të obligimeve. Shumë prej tyre e pohojnë edhe vete këtë gjë. Përgjegjësia ndaj votuesit, para së gjithash …. avansimi dhe afirmimi i cilësisë dhe i llogaridhënies, përparësi kuadrove të kualifikuar e të përgjegjshëm që gëzojnë besimin e qytetarëve.
Gazeta Blic: Me fitoren e z. Gjukanoviq, a do të bëhet më e lehtë zgjidhja e kontestit rreth demarkacionit, kur kihet parasysh fakti se z. Gjukanoviq ka deklaruar se do të pranojë çdo korrigjim nëse faktohet se ka pasur parregullsi?
Skënder Durmishi: Kalimi i demarkacionit hap rrugë për shumë procese. Çështja e vizave është vetëm njëra prej tyre. Këtu ku jam unë, na mundëson tani të gjithëve që të fokusohemi më shumë në çështje e projekte të reja të bashkëpunimit, sidomos me karakter ekonomik e zhvillimor. Lidhur me pyetjen tuaj konkrete, Z. Gjukanoviq edhe sa ishte Kryeministër, ka pohuar se ka gatishmërinë për korrigjime nëse konstatohen gabime e lëshime në procesin e demarkacionit. Kjo u tha shprehimisht edhe me Deklaratën e Podgoricës, që i parapriu ratifikimit në Parlamentin tonë, e cila u bë , siç e ka pohuar vetë, edhe me ndikimin e z.Gjukanoviq.