Takim mes Markoviq dhe Haradinaj në Shkup

Kryeministri Dushko Markoviq u takua sot në Shkup me Kryeministren e Serbisë Ana Brnabiq, Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, Kryeministrin maqedonas Zoran Zaev dhe Denis Zvizhdiq, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Herzegovinës.

 

“Kosova dhe Mali i Zi kanë treguar korrektësi sa i përket bashkëpunimit ndërshtetëror. Në jemi të përkushtuar që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe kemi një agjendë të njëjtë, që do të jetë rruga jonë evropiane”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit bilateral me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

“Kryeministrin e Malit të Zi e përgëzova për zgjedhjen e presidentit të ri, Milo Gjukanoviq. Jemi të lumtur që ky vend zgjodhi një president që ka aspirata të njëjta me vendin tonë, familjen evropiane dhe miqësinë e përhershme me SHBA-të. Vizioni ynë si Kosovë është që të thellojmë raportet miqësore, fqinjësore, ekonomike dhe politike me Malin e Zi. Ky vend ka treguar gatishmëri ta ndihmojë Kosovën në proceset tejet të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi” ka thënë Haradinaj.

Për kryeministrin malazez, Kosova mbetet një nga vendet me të cilat duhet intensifikuar bashkëpunimi ekonomik dhe partneriteti politik, fusha këto për të cilat Mali i Zi do të përkushtohet që të avancohen, derisa mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane.

Kryeministri i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, diskutuan edhe për projektet e përbashkëta infrastrukturore, rrugën që lidhë Kosovën me Malin e Zi, për hekurudhën që përshkon Bjello Pole – Berane – Pejë, për mbështetjen e komunitetit malazez në Kosovë dhe atij shqiptar në Malin e Zi dhe shumë projekte të tjera për të dyja vendet.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!