Rama-Basha arrijnë marrëveshjen (Video)

Pas tri orë bisedimesh mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha, rreth orës 1:30 të mëngjesit të sotëm është arritur marrëveshja rreth zgjedhjeve parlamentare dhe pjesëmarrjes së opozitës.

Në një prononcim të shkurtër për mediat pas përfundimit të takimit kryetari i PD, njëkohësisht lideri i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh se “Kemi një marrëveshje bazuar në paketën McAllister të propozuar nga SHBA. Marrëveshja do të detajohet në 24 orët e ardhshme dhe vetëm pas detajimit do të kemi një komunikim publik për marrëveshjen.”

Ndërsa kryeministri shqiptar, Edi Rama ishte edhe më i prerë në komunikimin e tij, duke thënë se, “jam dakord 100% me kreun e opozitës”.

Asnjë nga të dy nuk dha detaje mbi datën e zgjedhjeve, ndërsa midis tyre pati edhe një shtrëngim duarsh në publik.

SHBA dhe BE përshëndesin marrëveshjen Rama-Basha

SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kanë reaguar në lidhje me marrëveshjen e realizuar mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha, rreth zgjedhjeve parlamentare në vend.

Përfaqësitë e SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së në Shqipëri, në mesazhet e publikuara në rrjetet sociale kanë përshëndetur marrëveshjen Rama-Bash, e arritur në orët e vona të natës pas shumë orë negociatash.

“Urime për marrëveshjen për zgjedhje të lira dhe të ndershme, në interesin më të mirë për të gjithë qytetarët e Shqipërisë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.

Marrëveshja në fjalë është përshëndetur edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Dondal Lu, i cili në një mesazh publikuar në profilin e ambasadës, shprehet: “Bravo Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për udhëheqësinë dhe kurajën personale në farkëtimin e kësaj marrëveshjeje. Presim me kënaqësi e padurim zgjedhjet me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në Shqipëri”.

Kukan: Një lajm i mirë nga Shqipëria

Kukan: Një lajm i mirë nga Shqipëria

Eurodeputeti Eduard Kukan e quan një lajm të mirë nga Shqipëria marrëveshjen mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

“Shumë i lumtur të shohë lajme të mira nga Shqipëria këtë mëngjes, pasi kryeministri Rama dhe Lulzim Basha arritën një marrëveshje për zgjedhjet”, shkruan Kukan.

 

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!