Kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu tha se nuk ka nevojë për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme lokale, por që ato duhet të mbahen në afat të rregullt.
“Koalicioni ynë ka përgatitur për një vite e gjysëm një numër të madh të projekteve investuese ku realizimi i tyre fillon pas sezonit turistik, prandaj ne i konsiderojmë ato si një prioritet për t’u kushtuar fillimit të ndërtimit të projekteve të shumëpritura infrastrukturore që përfaqësojnë shtyllën kurrizore të zhvillimit të komunës së Ulqinit dhe njëkohësisht fillimin e duhur për sezonin e ardhshëm turistik.
Fushata elektorale do të pengoj dinamikën e tyre, prandaj konsiderojmë se nuk ka nevojë të shkurtohet mandati i këti pushteti dhe zgjedhjet duhet të mbahen në afatin e rregullt ”, tha Cungu.
Kryetari i Forcës tha se beson që insistimi i PDS-së që zgjedhjet të mbahen në fund të nëntorit nuk mund të prish marrëdhëniet në koalicion. Ai tha se bëhet fjalë për partneritet strategjik si në nivel lokal ashtu edhe në atë shtetëror.
„Propozimi i PDS-së që zgjedhjet lokale të mbahen në të njëjtën kohë me tre komunat tjera është me karakter praktik dhe nuk pasqyron pakënaqësi brenda koalicionit, prandaj mendoj që nuk do të insistojnë me ngulm për këtë datë“, shtoi Cungu.