Vujiçiq: Edhe nëse nuk miratohet demarkacioni, shqiptarët e malazezët mbesin miq

Kryetari i Unionit të Malazezëve të Kosovës, Sllobodan M. Vujiçiq, përmes një letre i ka bërë thirrje shtetit të Kosovës që të mos bie pre e shantazheve të deputetëve serbë për hir të nevojës së ratifikimit të Marrëveshjes se demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, “sepse askush dhe asgjë nuk do të mund të rrënojë marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet shqiptarëve e malazezëve”, transmeton Koha.net.

“Shteti i Kosovës nuk guxon të lejojë që deputetët serbë të shantazhojnë për arsye të nevojës që të ratifikohet Marrëveshja mbi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, meqë askush dhe asgjë nuk do të mund të rrënojë marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet shqiptarëve dhe Malazezëve. Dëshira që shqiptarët e malazezët të konfliktuohen do të mbetet ëndërr e parealizuar e të gjithë kundërshtarëve të vlerave civilizuese dhe tradicionale,” – thuhet në letër.

“Ne, si malazezë të Kosovës”, vazhdon letra, “se edhe nëse çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nuk do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, kjo fare nuk do të dëmtojë marrëdhëniet tona të mira fqinjësore me Malin e Zi. Përkundrazi, marrëdhëniet tona të mira fqinjësore do të lëvizin rrugës së ngjitjes, madje në të gjitha fushat.”

“Mali i Zi nuk dëshiron që qytetarët e Kosovës për shkak të paqartësive rreth demarkacionit të kufirit të jenë viktimë. Mali i Zi dhe malazezët autentikë nga Kosova këtë e kanë dëshmuar edhe në momentet më të vështira të luftës, ndërsa ne jemi të sigurt se zgjidhja përfundimtare e demarkacionit të kufirit do të jetë në interes të të dy popujve dhe dy shteteve”, ka shkruar kryetari i Unionit të Malazezëve të Kosovës, Sllobodan M.Vujiçiq.

Shperndaje