Zgjedhjet parlamentare dhe shqiptarët në Malin e Zi – Koha për reflektim dhe veprim serioz

Koha për reflektim dhe veprim serioz

 U takon partive politike shqiptare që të angazhohen për një zgjidhje të qëndrueshme të përfaqësimit në institucionet ligjvënëse e ligjzbatuese. S’ka dyshim se kjo mund të arrihet vetëm me normë kushtetuese e jo vetëm ligjore, pasi përvoja 28-vjeçare na ka treguar se e drejta jonë e përfaqësimit me ligj ishte dhe është në duart e partive në pushtet dhe interesave të saj.

 Hajrullah Hajdari

Ndërkaq nëse e analizojmë organizimin dhe mirëvajtjen e zgjedhjeve në periudhën kohore 1990-2016, bazuar edhe në raportet e vëzhguesve dhe të institucioneve ndërkombëtare, është e qartë se ato, në shumicën e rasteve, nuk ishin të lira, të ndershme dhe demokratike pasi partia-shtet me keqpërdorimin e resurseve shtetërore e nganjëherë edhe me blerjen e votës kanë ndikuar dukshëm në orientimin e lirë të votës në shkëmbim të interesave personale të personave dhe partive të caktuara politike e veçanërisht kjo ishte e theksuar te pjesëtarët e pakicave në Mal të Zi.

Pra, edhe në rastin më të mirë, edhe nëse ligjvënësi do të pranojë për momentin rikthimin e “të drejtave të arritura”, a duhet shqiptarët në Mal të Zi të jenë të kënaqur dhe të besojnë në një zgjidhje të përhershme?

A duhet të besojnë kur dihet se në dhjetë zgjedhjet e mbajtura, pesë herë janë bërë ndërhyrje në ligjin zgjedhor vetëm për të rregullar, kinse, çështjen e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve?!

A duhet shqiptarët në Mal të Zi të vetëkënaqen me mëshirën e sovranit, edhe kur ai kryesisht jep më pak se u takon, edhe në momentin kur Mali i Zi po shkon drejt Evropës e atje sigurisht do të shfrytëzojmë vetëm ato që atje kemi çuar?!

A duhet shqiptarët në Mal të Zi të mendojnë për të ardhmen, për avancimin e të drejtave dhe lirive në të gjitha sferat e jetës, në rastin konkret për avancimin e së drejtës së përfaqësimit, aq më tepër kur tanimë shqiptarët e viseve tjera të ish-Jugosllavisë po bëjnë përpjekje për rregullimin e statusit të tyre final?

Për të gjitha këto dhe ndonjë arsye tjetër të papërmendur përfaqësuesit shqiptarë, sadopak që janë, në institucionet ligjvënëse e ligjzbatuese, si dhe partitë politike shqiptare duhet të angazhohen më shumë e me vendosmëri të madhe, të përdorin të gjitha veprimet e nevojshme demokratike të lejuara, deri në padëgjueshmëri. Është aksiomë juridike parimi: “Ai që e shfrytëzon të drejtën e tij, nuk i sjell askujt padrejtësi (Qui iure sue ititur, nemin facit iniram)”, si dhe “Gjithçka mund të degjenerohet nëse nuk përparon.” Ndaj përfaqësues shqiptarë në institucione shtetërore e partiake shqiptare zgjohuni nga “rehatia” e siguruar në kolltuqet lakmuese që po i mbani. Është koha për reflektim dhe veprim serioz.

Duke u nisur nga përvoja ime zgjedhore dhe njohja e sistemit zgjedhor në Mal të Zi dhe në shtetet e rajonit, sidomos të atyre shteteve multinacionale të dala nga sistemi monist, mendoj se duhet të lansohet ideja e përfaqësimit të qëndrueshëm të shqiptarëve në Mal të Zi. Meqenëse e drejta komparative shumë herë paraqitet si burim juridik, andaj unë, zgjidhjen e problemit të përfaqësimit të shqiptarëve e shoh në të njëjtën mënyrë si edhe në shtetet e rajonit. Kjo do të thotë që mënyra e të drejtës së përfaqësimit të shqiptarëve të përcaktohet më Kushtetutën e Malit të Zi dhe në këtë mënyrë të eliminohet mundësia e veprimit të vullnetit të partisë në pushtet, sipas rastit dhe interesit momental të saj.

Në favor të propozimit tim, po jap dy shembuj konkretë të përfaqësimit të pakicave në Kroaci dhe Kosovë.

Në Kroaci, në nenin 15 të Ligjit Kushtetues, thuhet: “Përfaqësuesve të pakicave kombëtare, përveç të drejtës së përgjithshme zgjedhore, me ligj mund t’u sigurohet e drejta e veçantë për të zgjedhur përfaqësuesin e vet në Kuvendin e Kroacisë”, e drejtë që është sanksionuar në nenin 17 të Ligjit zgjedhor, i cili përcakton: “Përfaqësuesit e kombësisë serbe zgjedhin 3 deputetë në Kuvendin e Kroacisë, në pajtim me Ligjin kushtetues për pakicat nacionale. Përfaqësuesit e nacionaliteteve tjera zgjedhin 5 deputetë”.

Ndërsa, në nenin 64 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është paraparë që nga 120 deputetë, 20 për qind e tyre janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë. Kjo zgjidhje krejtësisht bartet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës. Sipas Ligjit dhe Kushtetutës, 10 vende në Kuvendin e Kosovës janë të garantuara për serbët, nëse numri i mandateve të fituara është më i vogël se 10, e kështu me radhë për komunitetet tjera deri në numrin 20.

Kushtetuta aktuale e Malit të Zi, në kapitullin “Të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të pakicave nacionale dhe etnike”, në nenin 73, thekson: “Pjesëtarëve të gupeve nacionale dhe etnike u sigurohet e drejta e përfaqësimit proporcional në sektorin publik, organet e pushtetit shtetëror  dhe të vetëqeverisjes lokale”. Mendoj se kjo normë kushtetuese duhet të ketë karaker imperativ dhe të aplikohet në Ligjin zgjedhor. Përfundimisht jam i bindur se kjo normë me modifikim modest mund t’i japë zgjidhje përfaqësimit autentik të shqiptarëve në Mal të Zi, bazuar edhe në zgjidhjet e ngjashme në rajon.

U takon partive politike shqiptare që të angazhohen për një zgjidhje të qëndrueshme të përfaqësimit në institucionet ligjvënëse e ligjzbatuese. S’ka dyshim se kjo mund të arrihet vetëm me normë kushtetuese e jo vetëm ligjore, pasi përvoja 28-vjeçare na ka treguar se e drejta jonë e përfaqësimit me ligj ishte dhe është në duart e partive në pushtet dhe interesave të saj. (Fund)

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!