Qeveria të sigurojë informacione edhe në gjuhën shqipe

LETËR DREJTUAR QEVERISË SË MALIT TË ZI

Në vijim të zhvillimeve të fundit në lidhje me përhapjen e koronavirusit të ri, COVID-19 në Mal të Zi, OJQ “Unë veproj” ju drejtohet me kërkesën për angazhim të drejtpërdrejtë në sigurimin e informacionit të vazhdueshëm në gjuhën shqipe rreth masave mbrojtëse, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshmë të koronavirusit në vend.

Pakica shqiptare përbën një pjesë të rëndësishme të popullsisë së përgjithshme të Malit të Zi, ndaj duke pasur parasysh natyrën e koronavirusit dhe mënyrën se si ai kërcënon shëndetin publik, bazuar në nenin 13 të Kushtetutës së Malit të Zi dhe nenin 5 të ligjit “Për të drejtën e informimit”, gjykojmë se komunikimi i shpejtë, i vazhdueshëm dhe gjithpërfshirës në gjithë territorin e Malit të Zi, mbetet një ndër masat kryesore për parandalimin e situatave të paprecedenta me të cilat rrezikon të ballafaqohet vendi ynë.

Duke ju falenderuar për angazhimin e deritanishëm në menaxhimin e kësaj situate të pazakontë, mbetemi shpresëplotë se bashkërisht do t’i përgjigjemi me sukses kësaj sfide, si dhe jemi të gatshëm që në përputhje me Statutin e organizatës, të ofrojmë kontributin tonë në këto momente kur nevoja për t’i bashkërenduar forcat tona është më e madhe se kurrë.

Me respekt,
Drita Llolla
Drejtore ekzekutive

Shperndaje