Forca kërkon zgjedhje të parakohshme: Ky pushtet lokal është duke e çuar Ulqinin drejt greminës

KUMTESË PËR MEDIA

Të nderuar qytetarë,

Sot, vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Ulqinit, është shtyrë përsëri. Kjo është shtyrja e 3-të me rradhë e mbledhjes e cila ka filluar më 2 qershor.

Gjatë mbledhjes të enjten, është treguar që ky pushtet e ka shtyrjen si parim bazik.

Shtyjnë mbledhjet e Kuvendit si të donë, shtyjnë njëri – tjetrin, shtyjnë problemet për më vonë, pikat e rendit të ditës për më vonë, shtyjnë problemet nën tapet e interesat e veta i shtyjnë përpara. Dhe kështu i shtyjnë ditët e një pushteti i cili nuk din të legalizojë dhënien në shfrytëzim të një hapësire Qendrës Sirena nga Qendra për Kulture, por di bukur mirë që individëve të tjerë, mu afër këtyre dy objekteve t’i japë truall për të shtrirë tarracën, apo hapur lokal. Kështu shtynë ditët administrata me sekretarë që nuk dinë të mbrojnë asnjë pikë të Kuvendit e që nuk din të realizojnë projektet madhore kapitale në infrastrukturën e qytetit për të cilat mjetet financiare presin në bankë.

Kështu shtyjnë edhe agoninë e ndërmarrjeve publike. Njëra është e paregjistruar, tjetra nuk jep rroga që 15 muaj. Njëra nuk jep raporte pune, por paguhet nga Komuna përtej buxhetit përpara zgjedhjeve. Ama të gjitha janë të zhytura në borxhe dhe këshillat drejtuese të atyre ndërmarrje sillen sikur ata nuk janë përgjegjës për to.

Tash kanë filluar luftën se kush do të udhëheq edhe mediat publike pavarësia e të cilave mbrohet nga ligji dhe monitorohet nga Unioni Evropian në raportin e tij për Malin e Zi ku mediat trajtohen me shumë kujdes. Ama ligji do t’i mbërrisë shkelësit herët a vonë.

Është e qartë se ky pushtet lokal është duke e çuar Komunën e Ulqinit drejt greminës dhe për këtë arsye përsëri ju ftojmë që të shkurtojmë mandatin e Kuvendit të Ulqinit dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

Qytetarët e Ulqinit meritojnë një pushtet të përgjegjshëm dhe serioz e jo një grup fillestarësh me aftësi e dituri të pamjaftueshme për ta zhvilluar Ulqinin.

Forca e Re Demokratike

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!