KSHZ: Për mandatin e dytë munguan 335 vota

Të martën Komisioni shtetëror zgjedhor (KSHZ) ka përcaktuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 16 tetor.

Sipas tyre koalicioni “Shqiptarët të vendosur”, i përbërë nga Forca, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare ka fituar4839 vota, apo 1,27%. Koalicioni tjetër shqiptar, “Me një qëllim”, i përbërë nga Partia demokratike, Iniciativa qytetare, Lidhja demokratike në Mal të Zi dhe Perspektiva fitoi 3388 vota apo 0,89 %. E treta me radhë, në mesin e listave shqiptare, ishte lista e Lidhjes demokratike të shqiptarëve e cila fitoi 1542 vota apo 0,40%.

Sipas Ligjit aktual zgjedhor, listat zgjedhore të përfaqësuesve të ndonjë populli pakicë të cilat marrin pjesë në zgjedhje parlamentare, e të cilat nuk fituan 3% të votave të vlefshme , marrin pjesë në ndarjen e mandateve si listë zgjedhore e përbashkët me numrin e përgjithshëm të votave të fituara me kusht që secila individualisht ka fituar më shumë se 0,7% të votave të vlefshme.

Koalicionet “Shqiptarët të vendosur” dhe “Me një qëllim” kaluan pragun e paraparë prej 0,7% dhe me gjithsej 8277 vota morën pjesë në ndarjen e mandateve si listë e përbashkët zgjedhore të popullit pakicë shqiptar. Votat e fituara mjaftuan vetëm për një mandat i cili i takoi koalicionit të përbërë nga Forca, UDSH dhe ASH. Meqenëse mandati i fundit, ai i 81, i takoi Frontit demokratik me 4305 vota, me një llogaritje të thjeshtë kuptohet që për mandatin e dytë të listave shqiptare, në këtë rast për mandatin e koalicionit “Me një qëllim”, munguan 335 vota./ul-info/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!