Dita e dytë e Samitit të Diasporës Shqiptare në Tiranë (Foto-Video)

Dje në Tiranë ka filluar Samiti i Diasporës Shqiptare, i cili organizohet për herë të parë nga qeveria shqiptare në datat 18-20 nëntor 2016.

Hapja e këtij samiti është bërë nëpërmjet një ceremonie në Pallatin e Brigadave, ku mbajti një fjalim edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ministra të kabinetit qeveritar, diplomatë, etj.

Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij ka vlerësuar rëndësinë e diasporës shqiptare nëpër botë, e cila sipas tij ka luajtur një rol thelbësor për Shqipërinë.

Gjatë ditëve të zhvillimit të samitit do të ketë gjithsej tetë panele ku do të flitet për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me kulturën, zhvillimin ekonomik, përfaqësitë diplomatike, etj, ku do të marrin pjesë panelistë të ndryshëm si nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.

Në këtë samit marrin pjesë qindra shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Punimet e ditës se dytë të Samitit të Diasporës u përqendruan në mundësitë konkrete që u ofrohen emigrantëve për më shumë lidhje me Shqipërinë. Në një nga panelet, Mark Gjonaj, anëtar i asamblesë së demokratëve në Nju Jork, apeloi për më shumë bashkëpunim ndërmjet shoqatave të shqiptarëve jashtë vendit dhe për këtë mund të ketë kontribut edhe shteti shqiptar.

Përfitimet për këtë, sipas tij, do të ishin mjaft të mëdha për komunitetet.

“Nisëm një projekt ku njerëz që punojnë në fusha të ndryshme na lidhen me 20 ofrues shërbimesh publike. Arritëm një marrëveshje ku konkretisht, për çdo blerje kolektive që bënim, një përqindje e blerjes do të duhet të kthehet në një fond për investime ndaj komunitetit: bursa për të rinjtë, për poltika më të mira ndaj emigrantëve, të moshuarve etj”, u shpreh ai.

Në një tjetër panel, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj hodhi 3 ide konkrete sesi mund të afrohen më shumë emigrantët me kryeqytetin e Shqipërisë.

“Tirana është vendi ideal për të investuar në fushën e pronave të paluajtshme. Ne si Bashki e Tiranës po aplikojmë që të hapim një zonë ekonomike në zonën e Kasharit, aty ku po ndërtojmë edhe impiantin e ri të përpunimit të ujërave të Tiranës. Kemi identifikuar një zonë rreth 60 hektarë. Nëse keni dëshirën, zemrën dhe paratë për të investuar në projekte sociale, ne kemi patur një projekt fantastik të adoptimit të kopshteve dhe çerdheve. Nëse keni mundësi t’i vizitoni, janë ndoshta më të mirët në rajon dhe me zero lekë nga buxheti i shtetit, falë shumë prej kompanive shqiptare që kanë vendosur që një pjesë të të fitimit të tyre ta kthejnë mbrapsht në komunitet duke adoptuar një kopsht, çerdhe apo kënd lodrash”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!