Ujkaj: Të rinjtë janë forca mbi të cilën politika duhet të bazohet…

Zef Ujkaj në pyetjen tonë rreth aktivizimit të rinjëve në politikë është shprehur se aktiviteti është i dukshëm, por ka vend për angazhim edhe më të madh. Të rinjtë janë një forcë e konsiderueshme, forca mbi të cilën politika duhet të bazohet për të pasur në të ardhmen një vijimësi politike të sigurt.

“Pavarësisht faktit se pjesëmarrja e të rinjve në aktivitetet politike është e dukshme, mendoj se ka vend për një angazhim edhe më të madh të tyre. Të rinjtë janë një forcë e konsiderueshme, forca mbi të cilën politika duhet të bazohet për të pasur në të ardhmen një vijimësi politike të sigurt. Siç u shpreha edhe më lart, angazhimi i të rinjve është prezent dhe lidhur me këtë ne mund të përmendim për rajonin e Malësisë shembullin e deputetit shqiptar Nik Gjeloshaj, zëvendësministrit të arsimit Marash Dukaj, këshilltarit të deputetit nga Malësia (Nik Gjeloshaj) Driton Sinishtaj, kryetarit të Partisë “Forumi Demokratik për Integrim” Anton Lulgjuraj, nënkryetares së Partisë “Lidhja Demoktatike në Mal të Zi” -Dega e Malësisë dhe këshilltares së Kuvendit të Komunës Urbane të Malësisë Teuta Gjokaj, këshilltarëve të tjerë të Kuvendit të kësaj Komune si Ivan Ivanaj dhe Tina Lulgjuraj, anëtarëve të kryesive të partive që veprojnë në Malësi etj. Rinia është e nesërmja e Malësisë, është forca që shikon drejt të ardhmes, është një forcë që duhet të rritet dhe të zgjerohet duke ecur drejt perspektivave të reja dhe duke kontribuar gjithmonë e më shumë për të çuar përpara objektivat politike. Prandaj pjesëmarrja sa më e madhe e të rinjve në jetën politike do të ishte një element i rëndësishëm në radhë të parë kombëtar, por edhe politik që nuk duhet anashkaluar” është shprehur Ujkaj.

Në pyetjën tonë se cila është zgjedhje më e mirë partitë politike nacionale apo qytetare ai shprehet.

“Rëndësi ka që të rinjtë shqiptarë të Malit të Zi të jenë pjesë e politikës aktuale pasi siç thotë një proverb “nëse ti nuk merresh me politikën, do të merret politika me ty”, pra në njëfarë mënyre duam apo nuk duam të gjithë ne jemi të lidhur me politikën. Kjo do të thotë se pavarësisht faktit që je pjesë e partive politike nacionale apo qytetare, rëndësi ka të japësh kontributin tënd personal për të mirën e popullit dhe vendit tënd. Një qëndrim i tillë është konstatuar në rastin e deputetit Dritan Abazoviq, të cilin pavarësisht se përfaqësonte një parti qytetare nuk e pengoi ky fakt për të ngritur zërin në mbrojtje të interesave kombëtare. Rëndësi ka që ne të mos qëndrojmë pasivë ndaj padrejtësive që na bëhen në mënyrë të vazhdueshme nga pushteti qendror, por të ngremë zërin në mbështetje të të drejtave tona pa marrë parasysh se cilës parti apo organizate politike i përkasim”.

Kur është fjala për pushtetin lokal në Tuz, Ujkaj është shprehur i pakënaqur duke shtuar se Joseph de Maistre thotë se “çdo popull meriton qeverinë që ka”.

“Për fat të keq, për vite me radhë na është dashur të kuptojmë që në Malësi, gjendja politike, ekonomike, kulturore, infrastrukturore etj. nuk ka ndryshuar. Duke marrë shkas nga kjo, me keqardhje duhet të them se gjendjen në të cilën ndodhemi e kemi marrë të mirëqenë. Pra si mund ta vlerësoj punën e pushteteve politike ndër vite, kur ata nuk kanë bërë realisht asnjë gjë konkrete për Malësinë? Joseph de Maistre thotë se “çdo popull meriton qeverinë që ka”, prandaj në këtë mënyrë na humb e drejta për t’u ankuar pasi vetë ne i kemi sjellë në pushtet këta qeveritarë dhe u kemi dhënë mirëbesimin për udhëheqjen dhe drejtimin e vendit tone”.

Ndërsa për opozitën ai mendon se nuk është mjaftushëm e fortë, që duhet të jenë më të bashkuar edhe pse janë në një numër të vogël.

“Në radhë të parë mendoj se opozita nuk është mjaftueshëm e fortë dhe e bashkuar që të mund të shërbeje si barrierë ndaj politikës së Gjukanoviq-it në Malësi. Së dyti opozita përbëhet nga një numër i vogël këshilltarësh që për pasojë nuk mund të sjellin diçka konkrete lidhur me pretendimin për Komunën e plotë të Malësisë. Mendoj se bashkimi i të gjitha partive politike shqiptare në Malësi do të ishte me siguri forcë më e konsiderueshme që do të mund të çonte drejt realizimit të këtij projekti të mbetur në sirtar, marrjes së pushtetit lokal në Malësi dhe pretendimit për plotësimin e objektivave të mëtejshme kombëtare”.

Në pyetjën tonë për vlerësimin e qeverisë Gjukanoviq ai është shprehur se ky model qeverisës duhet të ndryshojë.

“Mendoj që ky model qeverisjeje duhet të ndryshojë, pasi jemi vendi i vetëm në Evropë që, që në periudhën e pluralizmit politik nuk kemi njohur qeveri tjetër. Edhe sikur të ishte një qeveri që do të kishte bërë vërtet diçka për popullin e Malit të Zi, përsëri do të të duhej që të ndihej fryma e ndryshimit politik, duke u dhënë mundësi edhe modeleve të tjera politike, për të shpalosur programet e tyre. Nuk mund të themi se Gjukanoviq-i ka qëndruar indiferent ndaj çështjes shqiptare, mirëpo në rastin konkret për shqiptarët e Malit të Zi nuk është bërë asgjë ose fare pak. Kjo qeveri lë të pazgjidhur çështjen e komunës së Malësisë, kthimin e pronave për shqiptarët, integrimin e shqiptarëve në administratën shtetërore, dhe në përgjithësi barazinë e të drejtave për të gjithë qytetarët e Malit të Zi”.

Një ndër temat e diskutimit tonë ka qenë edhe çështja e votbesimit të qeverisë ku Ujkaj ka dhënë një përgjigje shumë të qartë duke thënë se votbesimi nuk duhet t’ jepet kësaj qeverie vetëm në rastin që qeveria malazeze mund t’u përgjigjet interesave tona.

“Kjo gjë varet nga dëshira personale e vetë deputetëve shqiptarë, mirëpo sipas mendimit tim, votbesimi nuk duhet t’ jepet kësaj qeverie, pasi ajo nuk u solli asgjë të mirë shqiptarëve në Mal të Zi gjatë gjithë këtyre viteve. Vetëm në rastin që qeveria malazeze mund t’u përgjigjet interesave tona, deputetët tanë mund t’iu japin edhe njëherë mundësinë për t’i mbajtur në pushtet deri në zgjedhje të rregullta. Gjithsesi, unë personalisht nuk e shoh të gatshme qeverinë e Malit të Zi që t’u përgjigjet kërkesave tona me rëndësi kombëtare, pasi votat e deputetëve shqiptarë me shumë mundësi nuk janë vendimtare për votbesim të qeverisë. Pra, e keqja është e dyanshme, as nuk mund të kushtëzojmë qeverinë për të arritur të drejtat tona dhe nga ana tjetër, votat e deputetëve tanë nuk janë vendimtare”.

Për arsye se gjatë muajve të fundit ka patur disa ngjarje lidhur me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi ne kemi kërkuar opinionin e Ujkaj mbi punën e KKSH.

“Për sa i përket eksperiencës sime me këtë institucion, lidhur me çështjen e trajtimit të problematikave të arsimit shqip në Mal të Zi, mund të them me bindje të plotë se KKSH-ja përpiqet mjaftueshëm të mbrojë identitetin kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi duke u munduar të sjellë ndryshime pozitive gjithëpërfshirëse. Gjithsesi përpjekjet për t’i çuar para dhe për t’i mbrojtur të drejtat kombëtare kërkojnë impenjim më serioz. Mirëpo edhe ky institucion shfaq problemet e veta, një prej të cilave është politizimi i tij, me pasojë ndarjen e faktorit shqiptar sipas interesave politike. Kjo gjë sjell në sytë e shqiptarëve shndërrimin e këtij institucioni nga një institucion kombëtar mbarëshqiptar në Mal të Zi, në një institucion fiktiv, që nuk i përfshin ata aq sa çdo të duhej realisht ta bënte. Edhe përzgjedhja e këshilltarëve të KKSH-së nuk bëhet në bazë të meritës, por mbi baza politike, çka sjell uzurpimin e këtij institucioni nga njerëz të politikës, duke mos u lënë hapësirë personave publikë të depolitizuar, për të  ofruar  më të mirën për shqiptarët, pa dallime politike”.

Në fund stafi i malësia.ME falenderon z. Ujkaj për bashkëpunimin duke i uruar sukses në karierën e tij.

(Zef Ujkaj ka përfunduar Master Shkencorë për Histori në Tiranë, ka qenë kandidat i IQ për Këshilltar në Kuvendin e KU Tuz në zgjedhjet e fundit lokale, është gjithashtu anëtarë i kryesisë së IQ.)

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!