Urimeve pas betimit dhe marrjes së detyrës, presidentit të SHBA-së Joe Biden dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris iu bashkuan drejtuesit nga Ballkani.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i dërgoi urime Biden në emër të qytetarëve

“Unë dua t’ju siguroj që ju do të keni një mik të sinqertë në Malin e Zi, dhe brenda potencialit tonë një partner të besueshëm dhe një aleat të përgjegjshëm, si dhe një aktor rajonal të qëndrueshëm, në përballjen dhe gjetjen e përgjigjeve për sfidat komplekse globale dhe çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor,” tha Gjukanoviq.
Në mesazhin e tij urues, Gjukanoviq tha se pret vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm bazuar në besimin e ndërsjellë të ndërtuar në kohën e ngjarjeve traumatike dhe ndryshimeve në rajon dhe forcimin e lidhjeve më shumë se 140 vjet ndërshtetërore dhe diplomatike midis Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara.
Meta uron Bidenin: “Shqipëria do vijojë të mbështetet në partneritetin strategjik me SHBA“

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka uruar Presidentin e SHBA-së, Joe Biden, menjëherë pasi ai ka bërë betimin.
“Jemi të bindur se marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të zhvillohen më tej, ndërsa së bashku forcojmë bashkëpunimin transatlantik dhe në NATO”, ka theksuar Meta në urimin e tij.
Meta ka thënë se Shqipëria do vijojë të mbështetet në partneritetin strategjik me SHBA, duke e konsideruar këtë “garanci jetike për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe në çështje të rëndësishme globale“.
Vjosa Osmani uron Joe Bidenin, thotë se amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka uruar presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani i ka uruar mbarësi Bidenit në postin e presidentit të SHBA-ve, duke thënë se amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur.
Kurti uron Biden: Aleatët tuaj do të shikojnë drejtimin dhe udhëzimin tuaj

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherit kandidat për Kryeministër, e ka uruar demokratin Joe Biden me rastin e inaugurimit të tij si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai në një letër të cilën drejt Biden i përcjellë përgëzimet e tij për detyrën e re, thotë se do t’i ndjekin udhëzimet e tij përballë sfidave të përbashkëta.
“Ndërsa ndërmerrni hapa në shtëpi për të kapërcyer ndarjet dhe për të shëruar kombin tuaj, kështu aleatët tuaj jashtë do të shikojnë drejtimin dhe udhëzimin tuaj ndërsa ne përballemi me sfidat tona të përbashkëta”, thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit drejtuar Biden.