Clinton dhe Trump shënojnë fitore të mëdha në New York (Video)

 

Hillary Clinton dhe Donald Trump arritën të triumfojnë në parapraket e Nju Jorkut. Mediat amerikane raportojnë se manjati i pasurive të patundshme dhe ish-Sekretarja e shtetit janë fituesit e kësaj gare.

Nga 98.4 për qind e votave të numëruara të demokratëve në Nju Jork, 57.9 për qind i ka fituar Clinton ndërkaq 42.1 për qind Sanders,ndërsa te
 republikanët, 60.5 për qind i ka fituar Trump, 25.1 për qind Kasich dhe vetëm 14.5 për qind Cruz

Deri tani Clinton ka siguruar 1758 delegatë ndaj 1076 të rivalit Sanders, ndërsa për të siguruar emërimin zyrtar të partisë kandidatit i duhen 2383 delegatë.

Në kampin republikan, para paraprakeve të Nju Jorkut, Trump kishte 744 delegatë, ndërsa Cruz 559 dhe Kasich 144. Kandidatit republikan i duhen 1237 delegatë që të sigurojë emërimin e partisë.

Fitorja e Donald Trump në Nju Jork ishte parashikuar me kohë, pasi ky është shteti i tij i lindjes dhe baza e perandorisë së tij të pasurive të patundshme. Rivalët Cruz e Kasich thuajse ishin dorëzuar me kohë dhe vëmendja e tyre është përqendruar në votimet e javës së ardhshme.Ndryshe qëndronte situata për kandidatët në kampin demokrat, pasi sikurse Sanders, ashtu dhe Clinton, kishin lidhje të forta me Nju Jorkun. Sanders ka lindur në këtë shtet, ndërsa Clinton është zgjedhur 2 herë senatore.

 

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!