Arrihet më në fund marrëveshja që i hap rrugë votimit konsensual reformës në drejtësi, ditën e enjte në Kuvendin e Shqipërisë.
Palët kanë rënë dakord! Maxhoranca dhe opozita kanë mbyllur me sukses negociatat e stërzgjatura 18 mujore. Ka qenë ndërhyrja e Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn, ajo që ka puqur palët të bien dakord për votimin e nesërm të reformës historike.
Rama: Fitore historike e shqiptarëve, vijat e kuqe mbetën vija të kuqe
Në një deklaratë për shtyp të pak minutave më parë, kryeministri Rama përshëndeti arritjen e një marrëveshjeje për miratimin e reformës në drejtësi ditën e nesërme në Kuvendin e Shqipërisë, por këmbënguli të theksonte se vijat e kuqe të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, ishin dhe mbetën vija të kuqe deri në momentin e fundit.
Rama theksoi se, ndryshe nga çfarë reklamoi kreu i opozitës Basha si një fitore e tyre për reformën në drejtësi, kjo marrëveshje përbën fitore historike për të gjithë qytetarët shqiptarë. “Tashmë i hapet rruga revolucionit në sistemin e drejtësisë”, u shpreh Rama.
Basha: Ndërkombëtarët rekomandojnë, ne vendosim
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli në një deklaratë për mediat rreth orës 14:00 për të njoftuar arritjen e një marrëveshjeje për reformën në drejtësi.
Basha tha se marrëveshja është arritur në bazë të një formulimi të propozuar nga Komisioneri Hahn për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut.
“Sapo kam përfunduar një komunikim intensiv me partnerët amerikanë dhe europianë. Pas komunikimit më të fundit të rakorduar nga komisioneri Hahn, roli i misionit ndërkombëtar do të jetë rekomandues, ndërsa vendimmarrja tërësisht në duart e shqiptarëve”, tha Basha.
Meta: Konsensusi është arritje historike
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta përshëndet vendimin e Partisë Demokratike. Duke e cilësuar konsensusin si një arritje historike, z. Meta i shpreh mirënjohjen Komisionerit të BE për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn.
“Përshëndes vendimin e Partisë Demokratike. Konsensusi është një arritje historike. Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen për Komisionerin e BE për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn. Miratimi i Reformës në Drejtësi është një sukses dhe një arritje për të gjithë shqiptarët”, vlerësoi Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.
Hahn: Marrëveshja për drejtësinë tregon përgjegjësinë e Shqipërisë për integrimin
Komisioneri për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Johanes Hahn, konfirmoi marrëveshjen e arritur midis klasës politike në Shqipëri, duke theksuar se kjo marrëveshje tregon përgjegjësinë e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Shqipëri, lajm inkurajues nga Lulzim Basha dhe Partia Demokratike se reforma në drejtësi, do të votohet gjatë ditës së nesërme. Kjo marrëveshje tregon përgjegjësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE”, shkruan Hahn në Twitter.