Gjukanoviq propozoi shkurtimin e mandatit të Parlamentit, refuzon Lekiq

Presidenti Millo Gjukanoviq i ka dërguar sot kryetares së Kuvendit, Daniela Gjuroviq, propozimin për shkurtimin e mandatit të Kuvendit të Malit të Zi, duke njoftuar njëkohësisht se ka refuzuar propozimin e shumicës së vjetër parlamentare për ta pranuar Miodrag Lekiqin si mandatar të Qeverisë së re.

Gjukanoviq beson se Qeveria e re mund të arrihet vetëm me vendim të qytetarëve në zgjedhje.

“Nuk kam mundur ta pranoj propozimin për t’ia besuar mandatin për përbërjen e Qeverisë, Miodrag Lekiq, të cilin Andria Mandiq ma ka dërguar dje në emër të partive që kanë fituar shumicën e mandateve në zgjedhjet e vitit 2020, sepse unë besoj se nuk janë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme”, tha ai.

Në sqarimin e tij, Gjukanoviq thotë se në përputhje me Kushtetutën, më 15 dhe 16 shtator të këtij viti ka zhvilluar konsultime për mandatin e përbërjes së Qeverisë me përfaqësuesit e partive parlamentare, përkatësisht koalicioneve të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi.

Gjukanoviq thekson se përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF), Malit të Zi Demokratik (DEM), Partisë Popullore Socialiste (SNP) dhe Lëvizjes Qytetare URA nuk iu përgjigjën thirrjes.

Shperndaje