Kurti në Tiranë për të festuar fitoren e Vetëvendosjes (Video)

Ashtu siç ishte njoftuar nga qendra e Vetëvendosjes në Tiranë, pasditen e kësaj të diele, Albin Kurti mbërriti në kryeqytet.

Për herë të parë, një parti politike e Kosovës vjen në Tiranë për të festuar rezultatin zgjedhor me përkrahësit e saj.

Me të mbërri në Tiranë, Kurti u prononcua për çështjen e refuzimit të çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Padrejtësi që nuk u hapën negociatat në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Janë dy vende që duan [të jenë pjesë] dhe i duhen Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti, për Top Channel.

Më tej specifikoi motivin e ardhjes së tij në Tiranë.

“Kam ardhur për të festuar fitoren e Vetëvendosjes. Kosova dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë më shumë. Duhet të kemi kujdes në marrëdhëniet me Serbinë, dihet çfarë ka bërë Serbia ndaj nesh”, u shpreh ai.

I pyetur nëse do të ketë një takim mes tij dhe Edi Ramës, Kurti tha se ka ardhur të festojë për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

“Unë nuk do të kem takime të tjera, thjesht do të festoj”, tha ai duke shtuar se do të kthehet sonte në Kosovë, në pamundësi për të pasur një takim me kryeministrin shqiptar.

Sidoqoftë Kurti deklaroi se një takim mes tyre do të ketë dhe se kjo është çështje ditësh.

“Kryesor është liberalizimi i tregut dhe bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Shqipëri”, u shpreh ai.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!