Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka takuar dje në Stamboll presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
Vet Rama ka treguar se në qendër të bisedës ishte situata e sigurisë në rajon, si pjesë e sfidës së përbashkët kundër terrorizmit, kriza e refugjatëve sirianë si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në atë vend, si dhe nevoja për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
“Presidenti Erdogan çmoi lart punën e Policisë së Shtetit shqiptar në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës, suksesin e veçantë të Shqipërisë në reformën e energjisë, betejën për formalizimin e ekonomisë, si edhe në tërësi kurajën e qeverisë shqiptare për reformat e mëdha që e kanë futur Shqipërinë në rrugën e ndërtimit të një shteti serioz”, ka thënë Rama.
Rama ka thënë se edhe tema e zhvillimit të sektorit të ujit zuri një vend të veçantë.
Në Stamboll, Kryeministri Edi Rama ishte për të marrë pjesë në Samitin e Këshillit Atlantik për Energjinë dhe Ekonominë, ku tha se nuk ka krizë energjitike, por krizat vijnë nga injoranca.
Ky samit shërben si një platformë për bashkërendimin e politikave ekonomike, politike dhe energjitike, nga Shtetet e Bashkuara, në vendet e BE-së e deri në Azinë Qendrore.
Shqiptarët e pyesin Ramën pse nuk pati flamur shqiptar në takimin me Erdoganin
Në setin e fotografive që vet kryeministri Rama e ka postuar në profilin e tij në Facebook bëhet e qartë se aty kanë munguar simbolet kombëtare shqiptare.
Madje në dy fotografi, fotografitë janë të prera në atë mënyrë që nuk shihet se çfarë flamuri ka mbrapa kryeministrit Edi Rama, kur dyshja ka qëndruar ulur në takim.