Dukaj: Fushatë agresive në rrjete sociale, ASH me program konkret

Kristjan Dukaj, politolog

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 26 nëntorit, tashmë është duke hyrë në fazën përfundimtare, ashtu që edhe aktivitetet partiake, rëndom, janë më të ngjeshura sa më afër ditës së zgjedhjeve.

Bartësit e aktiviteteve zgjedhore, secili në mënyrën e vet, japin maksimumin për të fituar numër sa më të madh të votave dhe në këtë mënyrë të sigurojnë ndonjë ulëse më shumë në Parlamentin vendor. Por, sa janë plotësuar pritjet e elektoratit nga paraqitjet e përfaqësuesve të Listave zgjedhore, pjesëmarrëse në zgjedhje? Mjafton ndonjë bisedë e thjesht dhe të përgjigjet në dilemën e parashtruar e që mund të jetë vendimtare në përcaktimin e votuesve në përkrahje të listës së caktuar zgjedhore. Aq më parë pasi, në njërën anë, elektorati gjithnjë dëgjon premtime dhe fjalët të përsëritura nga zgjedhjet në zgjedhje edhe pse në terren, vazhdon të jetë situatë e njëjtë. Në anën tjetër, hartimi i programeve adekuate zhvillimore, është sinjal i mirë se autorët do të angazhohen në jetësimin e sa më shumë pikave të parapara për të ndryshuar sadopak gjendjen ekzistuese.

Alternativa Shqiptare, ka hartuar një program mjaft premtues pasi mënyra e tillë e pjesëmarrjes në fushata duhet të jetë praktik e rregullt. Sidomos nga partitë nacionale shqiptare, pasi pa pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje vështirë se mund të ketë zgjidhje të mirëfilltë të projekteve afatgjatë në një trevë siç është Malësia. Prandaj, mendoj se fushata agresive sidomos në rrjetet sociale nuk është ajo që i shërben krijimit të një perspektive të duhur për bashkëpunimin e domosdoshëm për një të nesërme më të mirë. Ruajtja nga “fjalët e mëdha” është kontributi më i mirë në këtë drejtim sepse e shkruara mbetet.

Pavarësisht periudhës së fushatës apo jo, të shkruarën nuk e shlyen e nesërmja e aq më pak dëshira për ta shlyer atë. Zgjedhjet janë proces i njohur çdo kund në botë, por dallojnë vetëm për nga mënyra e realizimit të tyre. E rëndësishme është që të zhvillohet garë e ndershme gjatë fushatës dhe të fitojmë rezultatin e dëshiruar për të nesërmen pas zgjedhore.

Shperndaje
1 Comment