Shqiptarët duhet të jenë në qeveri, për interesat tona zhvillimore

0

Është koha të reflektojmë

Shqiptarët duhet të jenë në qeveri pa marrë parasysh kush shkon e kush vjen për të parashtruar e mbrojtur interesat tona zhvillimore. Ka shumë raste në Evropë, edhe më gjerë, kur qeveritë konstituohen nga përbërës të ndryshëm konceptualë, bile shumë kontradiktorë; ka raste edhe kur pjesëmarrja e pakicave kombëtare është kusht për formimin e qeverisë. Dhe mbi këto praktika duhet ndërtuar edhe të ardhmen tonë politike në Mal të Zi. Mu për këtë është e nevojshme të jemi pjesëmarrës në qeveri, jo pjesëmarrës për t’i bërë dikujt shumicën apo për t’i mbajtur anën, por për realizimin e të drejtave tona.

Nga Hajrullah Hajdari:

Qeveria e re e Malit të Zi, edhe pse kaluan gati tre muaj nga zgjedhjet parlamentare, nuk është konstituuar dhe si pasojë shteti vazhdon të udhëhiqet nga partia-shtet – “miku” i shqiptarëve –  PDS-ja. Megjithatë, fituesit e zgjedhjeve kanë paralajmëruar se së shpejti qeveria e re do të konstituohet duke i ofruar opinionit një qeveri ekspertësh e reformatorësh të rinj, filozofia e të cilëve bazohet në veprimin e 12 apostujve, sa do të ketë edhe ministri qeveria e re. Numri “12” është tërheqës së paku për një fakt të rëndësishëm, sepse paralajmëron zvogëlimin e aparatit burokratik shtetëror dhe rrjedhimisht, ashtu duhet të jetë, të zvogëlojnë shpenzimet e mëdha të  administratës shtetërore. Besoj se “12”-ta, në një situatë kaq të vështirë globale ekonomike që po e kalojmë, është e mirëpritur. Ndërkaq, sa i përket strukturës organizative të qeverisë, mendimet janë të ndara. Disa mendojnë se emrat e ministrave të ofruar nuk japin shumë shpresë, jo ndoshta për shkak të përgatitjes profesionale të tyre, por nga përvoja e paktë e tyre në administratën shtetërore, në udhëheqje të institucioneve të rëndësishme apo përgjegjësisë shoqërore sigurisht se po. Nga ky aspekt disa mendojnë se qeveria e propozuar i përngjan më shumë një qeverie eksperimentale sesa një qeverie ekspertësh. Natyrisht, e gjithë kjo duhet marrë me rezervë. Disa të tjerë, si mangësi më të madhe të qeverisë së propozuar shohin mungesën e përfaqësimit të pakicave kombëtare, ndonëse, dorën në zemër, iu është ofruar e disa të tjerë theksojnë mungesën e Ministrisë së Turizmit, të Pakicave… në strukturën e qeverisë.

Janë këto opinione të përgjithshme të partive të ndryshme politike ose ithtarëve të tyre, qoftë të partive të profilit proserb, promalazez, qytetar apo kozmopolit. Ndërkaq, partitë politike shqiptare, si për herë e siç e kemi zakon, të ndara në mendime dhe qëndrime. Derisa përfaqësuesit e koalicionit “Bashkë nji za” janë të prerë, madje as nuk i janë përgjigjur ftesës për bisedime me mandatorin, sepse “nuk mund të kalojnë mbi të gjitha ato çka u janë bërë shqiptarëve” e unë po shtoj: së paku 142 vite me radhë, ndërsa përfaqësuesit e koalicionit “Lista Shqiptare”, pak më të moderuar, pranuan ftesën dhe shkuan në bisedime me mandatorin për t’u bërë pjesë e qeverisë së re. Shkuan, biseduan dhe deklaruan se kërkesat e tyre janë pranuar nga mandatori, disa thonë se janë pranuar vetëm gjysma e kërkesave të parashtruara. Por, a do të jenë pjesë e qeverisë apo jo, në mënyrë të prerë nuk u deklaruan!

U mundova të njihem me kërkesat e këtij koalicioni që ia paraqiten mandatorit si kusht për të filluar bisedimet eventuale për pjesëmarrje në qeveri! Mendova së paku, sigurisht, do të ketë ndonjë kërkesë shumë më rëndësi e cila gjer më tani nuk iu është kërkuar qeverive të mëparshme! Por nga ajo që lexova, s’më befasoi asgjë, sepse kërkesa të tilla, së paku 30 vite me radhë, janë adresuar në emrin e çdo qeverie të partisë-shtet, të cilat fatkeqësisht kishin mbetur në sirtaret e zyrave të pushtetmbajtësve 30-vjeçarë, kishin rënë në veshin e shurdhër e si pasojë kanë gjetur rrugën e harresës, të mbuluara me pluhurin e kohës! Nuk më befasoi as fakti se nuk do të ketë Ministri për çështjen e pakicave. Nuk më befasoi për vetë faktin, sepse që në formimin e saj në vitin 1998, LD në MZ-ja, natyrisht edhe unë, ka qenë kundër formimit të Ministrisë së atij formati, sepse e kemi ditur mirë se çështja e popullit shqiptar në Mal të Zi nuk mund të zgjidhet me një ministri të politizuar dhe kemi kërkuar që çështja e shqiptarëve duhet të zgjidhet vetëm më Kushtetutën e shtetit të Malit të Zi. Dhe sot e kësaj dite, me bindje të plotë them se zgjidhja e qëndrueshme e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Mal të Zi duhet të zgjidhen vetëm me Kushtetutë, të gjitha zgjidhjet tjera janë të paqëndrueshme. Zatën, a nuk patëm katër deputetë në Kuvendin e Malit të Zi, bile në dy formate të sistemit zgjedhor?! E sot? Kemi gjysmën e atyre e për këtë u kujdesën bashkërisht pushtetmbajtësit 30-vjeçarë dhe pushtetarët që do të vijnë nesër. Nuk mund të thuhet se në sferën e të drejtave kombëtare nuk ka pasur edhe ndonjë arritje. Megjithatë, duhet kujtuar se sot pas 30 viteve vendet shqiptare sërish janë vendet ekonomikisht më të pazhvilluara në shtet; sot shqiptarët në sferën e punësimit në administratën publike nuk janë të përfaqësuar as për së afërmi në raport me pjesëmarrjen e tyre në numrin e përgjithshëm të popullsisë; sot brezi i të mirave detare është aty ku ka qenë në vitin 1994, përkundër se përfaqësuesi i “Listës Shqiptare” zotëron një ndër vendet udhëheqëse në strukturat e “Të Mirave (të këqijave) Detare”; funksionimi i pushtetit lokal bazohet në centralizimin e udhëheqjes, i theksuar më shumë se në komunizëm, për të mos përmendur këtu Valdanosin, K-1 e K-2 e shumë të tjera. Për këtë arsye nuk duhet të brengosemi edhe aq shumë për distancën eventuale me qeverinë, pasi edhe ashtu kemi qenë të distancuar. Sigurisht që kjo gjendje është e dhimbshme për çdo shqiptar, prandaj shtrohet pyetja se a duhet shqiptarët të marrin pjesë në qeverinë e re apo duhet “t’i majnë jasin partisë-pushtet që po shkon”? Të jemi në krahun e asaj partie që për 30 vite nuk i realizoi të gjitha ato kërkesa të cilat “Lista Shqiptare” ia vuri si kusht mandatorit për krijimin e qeverisë së re, e thuhet se i pranoi, e të presësh që qeveria e re t’i realizojë me shpejtësi dhe për këtë arsye ose ndonjë arsye tjetër që për momentin nuk na pëlqen, mos të bëhëmi pjesë e qeverisë, nuk është reale-pragmatike e as fitimprurëse për kombin shqiptar në Mal të Zi. Kërkesat tona, vlerësimet, qëndrimet dhe vendosja duhet të jenë pragmatike e fitimprurëse për një zhvillim të qëndrueshëm politiko-ekonomik të shqiptarëve. Përndryshe, nëse bëhemi rob të koncepteve të “dashurisë së parë”, do të krijojmë një distancë edhe më të madhe dhe rrjedhimisht përmirësimi i pozitës së shqiptarëve do të jetë më i ngadalshëm se të arriturat në segmentin 0-142 (vjet)!

Askush nga shqiptarët, besoj, nuk mund të pajtohet me konceptet politike të Frontit Demokratik dhe qëndrimet e mandatorit për disa çështje kontradiktore me qëllimet tona kombëtare, as për qëndrimin ndaj Kosovës e as për NATO-n, por sigurisht as për celebrimin fetar të institucioneve publike shtetërore të cilat shkojnë drejt eleminimit të shtetit laik e kthimit të shtetit me fe kryesore ortodoksizmin, ashtu siç ishte edhe në shtetin e Krajl Nikollës. Ne shqiptarët nuk jemi as ortodoksë, as katolikë e as myslimanë, jemi vetëm shqiptarë. Unë mendoj se shqiptarët duhet të mendojnë për veten e tyre, për zhvillimin ekonomik, kulturor e arsimor. Shqiptarët nuk duhet të jenë shumë të interesuar për udhëheqjen e politikës malazeze, këtë t’ua lëmë atyre. Ne duhet të kujdesemi për politikën tonë, për politikën tonë kombëtare, për zhvillimin tonë. Shqiptarët duhet të jenë në qeveri pa marrë parasysh kush shkon e kush vjen për të parashtruar e mbrojtur interesat tona zhvillimore. Ka shumë raste në Evropë, edhe më gjerë, kur qeveritë konstituohen nga përbërës të ndryshëm konceptualë, bile shumë kontradiktorë; ka raste edhe kur pjesëmarrja e pakicave kombëtare është kusht për formimin e qeverisë. Dhe mbi këto praktika duhet ndërtuar edhe të ardhmen tonë politike në Mal të Zi. Mu për këtë është e nevojshme të jemi pjesëmarrës në qeveri, jo pjesëmarrës për t’i bërë dikujt shumicën apo për t’i mbajtur anën, por për realizimin e të drejtave tona. Sado që të jetë vështirë të hyhet në qeveri, aq më lehtë është të dalësh në momentin kur “s’e banë barra qeranë” pasi tani kemi vetëm një zgjidhje. Por të kemi zgjidhje tjetër, sigurisht kjo zgjidhje nuk do të preferohej nga askush, do të shkonim, ndoshta, te “dashuria e parë”, anipse deri dje, shumica thonin “edhe me dreqin por jo me këta, na mërziten 30 vjet…”

Është koha të reflektojmë, të mendojmë disi ndryshe, të mendojmë për veten tonë, sepse edhe të tjerët, gjatë gjithë historisë, kanë menduar për vete. Është koha për t’i lënë mënjanë interesat personale, mëritë e të gjitha energjitë e shprehura negative me vite. Duhet t’i bashkërendojmë qëndrimet dhe vendimet tona, sepse historia na ka mësuar se kur jemi të përçarë mund të pësojmë edhe më keq. Mos të mbajmë zi për të kaluarën, të shikojmë të ardhmen.  

error: Të drejtat e rezervuara !!