Prishtinë: Protestë me kërkesën për lirimin e Ramush Haradinajt (Video)

Disa mijëra qytetarë kanë protestuar të shtunën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-kryeministrit të Kosovës dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, i cili është ndaluar në Paris më 4 janar. Haradinaj është ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia në Interpol.

Protestuesit përmes pankartave kanë shprehur revoltën e tyre ndaj ndalimit të Haradinajt.

Ardian Gjini, nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë para protestuesve se qytetarët janë mërzitur nga padrejtësitë. Ai ka kërkuar nga vendet evropiane që të mos i lejojnë autoritetet e Serbisë, që edhe 18 vjet pas luftës në Kosovë, ta ushqejnë ende psikozën e luftës.

Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën ka thënë se shteti duhet t’u qëndrojë afër qytetarëve të saj kur u bëhet e padrejta dhe këtë duhet ta bëjë edhe në rastin e Ramush Haradinajt. Ai u është drejtuar institucioneve të Kosovës duke kërkuar nga to pezullimin e dialogut me Serbinë, e cila vazhdon t’i ndjekë me fletarreste qytetarët e Kosovës.

“Kërkesa e jonë është që me Vuçiqin duhet biseduar gjuhën e tij. Ai ndryshe nuk e kupton. Ne edhe një herë kërkojmë nga institucionet e Kosovës pezullimin e menjëhershme të bisedimeve me Serbinë dhe paraqitjen e kushteve konkrete se si mund të bisedohet me ta. Ne nuk mund të lejojmë që çdo ditë dhe çdo javë të fyhemi dhe të ofendohet shteti ynë nga pasardhësit e Milosheviqit. Ramushi do të kthehet, s’ka asnjë dilemë. Por, pyetja që duhet të jetë në të gjitha kokat tona dhe që është edhe preokupim i përditshëm i Ramushit, është: ku është Kosova, çka do të bëhet me Kosovën? E çdo ditë ky vend po fyhet dhe po injorohet”, është shprehur Limaj.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!