Meta: Shpresoj se do të rritet numri i shqiptarëve në Parlamentin e MZ

Gjatë vizitës shtetërore në Mal të Zi, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi takim edhe me Kryetarin e Parlamentit, Ivan Brajoviq.

Bashkëbiseduesit vunë në dukje marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe potencialin e madh të bashkëpunimit që dy vendet kanë përpara, si dy vende tashmë edhe anëtare të NATO-s dhe bashkërrugëtuese në integrimin europian.

Presidenti Meta i kushtoi vëmendje të posaçme respektimit, mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, duke inkurajuar nisma ligjore mbështetëse ndaj përdorimit të gjuhës, ruajtjes së simboleve, dhe identitetit kulturor të shqiptarëve si dhe për përfaqësimin e tyre proporcional në nivel qendror dhe lokal, duke i shërbyer bashkëjetesës harmonike në Mal të Zi si dhe bashkëjetesës rajonale.

Duke shprehur kënaqësinë që shqiptarët janë të përfaqësuar përmes z. Genc Nimanbegu në Parlamentin malazez, i cili mban njëkohësisht edhe detyrën e nënkryetarit të Parlamentit, Presidenti Meta tha se shpreson që ky përfaqësim të rritet edhe më tej duke i kontribuar si kuptimit më të mirë dhe plotësimit të nevojave të komunitetit shqiptar ashtu edhe shërbimit të interesit më të mirë të Malit të Zi.

Në periudhën e ardhshme, Mali i Zi dhe Shqipëria duhet të punojnë në valorizim më të mirë të cilësisë së potencialit të përbashkët, që ekziston në shumë fusha, si menaxhimi i ujit, turizmit dhe bujqësisë, u vlerësua në takimin e Kryeministrit Dushko Markoviq dhe Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Mal të Zi.

“Perspektivat ekonomike të dy vendeve janë të mëdha dhe dy qeveritë duhet të bëjnë gjithçka që ajo të shfrytëzohet”, tha Markoviq duke shtuar se marrëdhëniet bilaterale politike janë në një nivel shumë të lartë.

Kryeministri vuri në dukje rritjen e jashtëzakonshme ekonomike të arritur gjatë mandatit të kësaj Qeveri dhe tha se ai është i angazhuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ai vuri në dukje potencialet e veçanta zhvillimore të pjesës veriore të vendit, duke shtuar se është duke u punuar me përkushtim ndaj projekteve infrastrukturore, duke përfshirë këu edhe rrugën nga Podgorica nëpërmjet Dinoshës deri në Cem të Trieshit, me vlerë prej 11 milionë euro që veçanërisht është e rëndësishme për banorët e Plavës dhe Gucisë.

Meta dhe Markoviq theksuan rëndësinë e afirmimit të të drejtave dhe kontributin e komuniteteve pakicë që forcuan dhe zgjeruan partneritetin dhe miqësinë midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, njoftuan nga kabineti i Kryeministrit Markoviq./Malësia.ME/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!