Dinosha: Bratila e diaspora, na duan dora dora!

Ferhat Dinosha
                     BASHKIMI SI MISION
     Tashmë është vendosur: moto (motor) kryesore e Forumit Shqiptar (ASH, UNSH,LDSH) në zgjedhjet lokale të 5 marsit, për Komunën e Tuzit, do të jetë “Bashkim e Zhvillim”.     Vërehet se jo rastësisht, fjala e parë është emri BASHKIM , e pastaj edhe emri ZHVILLIM. Kjo, faktikisht, do të thotë se pa bashkim nuk ka zhvillim. Po, për cilin bashkim është fjala dhe pse Forumi i jep atij kaq rëndësi?     Nuk është fjala për bashkimin kombëtar të shqiptarëve të shkapërderdhur në shumë shtete të tokave të tyre të ndara. Kur ai të bëhet, do të nis e bitis gjetiu. Atje ku është nëna e të gjithë shqiptarëve.     Këtu fjala është për një bashkim tjetër , shumë të rëndësishëm për Malësinë : për bashkimin ndërfetar.     Siç e dimë , Malësia shqiptare është katolike dhe myslimane. Pra, është e një gjaku dhe dy feve. Malsorët janë edhe katolikë edhe myslimanë, por me komb janë shqiptarë.     Në pyetjen se a kanë jetuar mirë dhe a jetojnë mirë me njëri tjetrin malsorët e dy feve, përgjjgja është : po. Në pyetjen se a do të mund të jetonin më mirë me njëri tjetrin , përgjigja është, prapë, : po.      Këtu duhet kërkuar shkakun pse Forumi Shqiptar, krahas veprimit politik , e sheh si mision të vetin punën e pandërprerë që katolikët dhe myslimanët shqiptarë të Malësisë të jetojnë, vërtetë , si vëllezër.     Sepse, gjithmonë ka individë e grupe që i vret harmonia unike shumëfetare e shqiptarëve. Të tillë ka edhe brenda nesh . Në kombe të tjera, po se po.      Dëgjon njeriu ndonjëherë : “Hiqu tyne se kryqali janë e s’va sheh hajrin!” Ose :”S’ka gjâ prej tyne, se turq janë !”     Pluralizmi te ne për qelepire të vogla partiake ose inteligjente, ka shënuar edhe ndonjë rast ku shpifjet kanë mundur të prodhojnë farë incidenti ndërfetar, që, për fat të mirë, nuk ka ndodhur . Por , duhet pasur kujdes vazhdimisht që ato të mos përsëriten. Të mos krijohet as frymë e jo komoditetit ndërfetar.      Ta zëmë, edhe kryqi edhe minarja janë të mira. Por, nuk është mirë nëse minarja çohet 30m për inat të katolikëve, as nëse kryqi në mal çohet 30m, për inat të myslimanëve.     Malsorët, edhe me dy fe, janë më vëllezër me njëri tjetrin se sa me çdo pjesëtarë të kombeve tjera, këtu apo jashtë Malësisë, që kanë fe të njëjtë. Edhe shkencërisht, edhe fetarisht.      Nëse nuk mund të mohohet fakti se kombet, gjuhët, fetë i ka dhënë Zoti , atëherë nuk mund të mohohet as obligimi që ne kemi t’i ruajmë të gjitha këto , nëse duam të respektojmë Zotin Një të të gjithëve.     Pra, Muhamedi mysliman malsor, e ka më vëlla Kristianin katolik malsor se çdo Muhamed boshnjak, arab, turk apo pjesëtar të çdo kombi tjetër që është me fe islame. Dhe, Kristiani katolik malsor e ka më vëlla Muhamedin mysliman malsor se çdo të krishter tjetër kroat ,gjerman, italian apo pjesëtar të çdo kombi tjetër që është me fe katolike.     Sepse, Muhamedi dhe Kristiani ynë i kanë të njëjta gjuhën e gjakun dhe i luten të njëjtit Zot. Fakti që fetë i kanë të ndryshme, kurrsesi nuk i largon ata . Ata i afron gjuha e njëjtë , gjaku i njëjtë, kombi i njëjtë, që i ka dhënë Zoti.  Po të kishte dashtë, Zoti kishte dhënë vetëm një fe dhe nuk kishte dhënë shumë kombe.     Ai na ka thënë (perifrazoj) : nuk është punë juaja të grindeni kush si lutet , ajo është punë jona. Ju kemi dhënë të ndryshëm për t’u njohur e për tu afruar me njëri tjetrin.     Këtë Krijuesi e thotë edhe për pjesëtarë të kombeve të ndryshme e lëre më për pjesëtarë të të njëjtit komb, siç jemi ne shqiptarët.     Kam të lexuar edhe diçka tjetër, shumë të rëndësishme, nga historia e feve. Në një rast, kur profeti Muhamed po propagonte porosinë e fundit të Krijuesit, e sulmojnë kushërinjt dhe fqinjt e tij. Ai, duke ikur, shpëtimin e kërkon dhe e gjenë në njërën nga kishat e trevës. Kjo duhet “të çelet vas” në xhamitë tona, ashtu siç mund të thuhet, në meshat katolike, në kishat tona, se profeti Jezus (Krishti) në një rast, u kishte thënë ithtarëve se pas tij, për të vazhduar porosinë e Krijuesit, do të vinte dikush nga fisi i Kurejshëve, nga i cili, më vonë, del profeti Muhamed.     Tevona, ne kemi qenë shqiptarë para se të ishim katolikë ose myslimanë. Labeatët, si fis i dalluar ilir, të cilët kanë jetuar ku jetojmë ne sot e pak më gjërë, nuk kanë qenë as katolikë as myslimanë. Ka ardhur zaptuesi shumëshekullor romak e na ka sjellë fenë katolike. Pas tij, ka ardhur zaptuesi shumëshekullor turk, e na ka sjellë fenë islame. Por, ne shqiptarë se shqiptarë mbetëm . Por, kur u deshti ta mbronim kombin , ne luftuam bashkë katolikë e myslimanë.     Rilindasit tanë nuk shikonin kush ç’farë feje kishte. Shikonin se si së bashku të shporrnin okupatorin turk. Pikërisht asokohe doli klithma fantastike patriotike e Vaso Pashë Shkodranit :”Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është shqiptaria.”     Nuk besoj se ai me këtë klithmë ka dashur të mohojë fenë e vetë katolike , as fenë islame të shumicës së rilindasëve , as fenë ortodokse të rilindasëve të tjerë.     Ashtu siç bëri, më vonë, në Vlorë, më 28 nëntor 1912 , babai i kombit tonë , Ismail Qemali, për t’u bërë Shqipëria, edhepse e kufizuar me vetëveten.     Së këndejmi, nga krejt çka u tha, dua të konkludoj se qershia mbi tortë, në fitoren e madhe të 5 marsit , do të jetë pikërisht, bashkimi i vulosur ndërfetar i malsorëve.     Bratila e diaspora, na duan dora dora!     ME FAT!

Shperndaje