Marrëdhënia e shtetit shqiptar me diasporën, tani e tutje do të jetë e sanksionuar me një ligj të posaçëm.
Pas miratimit në kuvend, presidenti Ilir Meta dekretoi Ligjin ‘Për Diasporën”, i cili mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, për pjesëmarrje më aktive në zhvillimet e vendit amë.
Ligji ‘Për Diasporën’ , ndër të tjera, ka për qëllim përcaktimin e rregullave për kompetencat e autoriteteve shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën, krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor dhe arsimor të pjesëtarëve të diasporës.
Mbi bazë të këtij ligji, organet përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën janë: këshilli i ministrave, ministri përgjegjës për diasporën, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Qendra Kulturore për diasporën.
Cili është roli i secilit organ përgjegjës dhe si do të organizohet puna jashtë kufijve?
Këshilli i Ministrave do të jetë organi që do të përcaktojë politikat e vendit të origjinës për diasporën dhe mënyrat e politikat për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit shqiptar. Nga ana e tij, Ministri përgjegjës për Diasporën, në këtë rast Pandeli Majko do të propozojë nxjerrjen e akteve rregulluese dhe masa të tjera të nevojshme për marrëdhënien me diasporën.
Sakaq, ky i fundit do të mbikqyrë zbatimin e Strategjisë për Diasporën; dhe do të bashkëpunojë me ministritë e Kulturës dhe Punëve të Jashtme për ngritjen e qendrave kulturore etj.
Roli i Agjencisë Kombtare të Diasporës do të bëjë të mundur angazhimin e strukturave shtetërore për informimin dhe mbështetjen e diasporës. Mbështetja do të jetë e shtrirë qoftë në aspektin e organizimit të një bazë të të dhënash funksionale për diasporën, po kështu edhe në marrjen e masave koordinuese për realizimin e të drejtës së votës së diasporës me nënshtetësi shqiptare në zgjedhje. Me rëndësi është edhe inkurajimi i investimeve apo koordinimi iprogrameve për ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare.
Qendrat kulturore që do të krijohen për ruajtjen e kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të diasporës, do të ndikojë në forcimin e lidhjeve të saj me institucionet shqiptare. Gjithashtu, Këshilli koordinues i diasporës që do të përbëhet 15 anëtarë, përfaqësues të diasporës do të merren më përfaqësimin dhe koordinimin e marrëdhënieve më diasporën.Pjesë e tij do të jenë gjithashtu Kryeministri, Presidenti e Ministrat më të rëndësishëm.
Me këtë ligj konfirmohet vullneti për të konkretizuar një lidhje më të fuqishme institucionale ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës.