Takim Xhaferi – Erdogan: Mbështetje nga Turqia për integrimin e Maqedonisë në NATO

Mbështetje nga Turqia për integrimin e Maqedonisë në NATO, si edhe për qëndrimin parimor në drejtim të përdorimit të emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë dha Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan në takimin me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi mbrëmë në Ankara.

Në takim, njofton raportuesi i MIA-s, se Turqia ishte ndër shtetet e para që e njohu shtetin tonë nën emrin kushtetues, ajo e para hapi ambasadë dhe emëroi ambasador në vend.

Presidenti turk foli për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, duke e riafirmuar angazhimin që këmbimi vjetor tregtar ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë të rritet në një miliardë dollarë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Xhaferi, i cili në takim mori pjesë edhe me deputetët Vesel Memedi, Enes Ibrahim dhe Jusuf Hasani shprehu falënderim për realizimin e vizitës dhe kënaqësi nga intensiteti i vizitave në nivelin më të lartë, që paraqet mundësi që Republika e Maqedonisë dhe Republika e Turqisë ta konfirmojnë miqësinë tradicionale dhe ta përforcojnë bashkëpunimin e suksesshëm shumëvjeçar.
Bashkëbiseduesit këmbyen mendime për gjendjet në dy vendet dhe për ngjarjet aktuale në rajon, me ç’rast kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë informoi për marrjen e raportit pozitiv dhe rekomandimit të pakushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE nga ana e Komisionit Evropian, si rezultat i progresit të arritur në vend.

“Shumica parlamentare në Republikën e Maqedonisë është seriozisht e përcaktuar për realizimin e agjendës reformuese, duke e konfirmuar përkushtimin ndaj vlerave themelore demokratike, sundimin e të drejtës, respektimin e të drejtave njerëzore, ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura”, theksoi Xhaferi.

 

Shperndaje