“Forumi Shqiptar” në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit do të dalë me të njëjtën përbërje si në zgjedhjet lokale në komunën e Tuzit, dhe kanë synime që prezencën ta forcojnë edhe në komunat e tjera ku jetojnë shqiptarët. Ata besojnë se modeli i qeverisjes që kanë dëshmuar kuadrot e tyre deri tani, janë bazë për arritjen e një rezultati të mirë.
Artan Çobi, zv.kryetar i Alternativës Shqiptare, thotë se rezultatin e mirë në zgjedhjet lokale në Tuz do ta konfirmojnë edhe në zonat e tjera ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.
“Votuesit shqiptar do të identifikojnë ato subjekte apo koalicione të cilët kanë punuar pozitivisht dhe pa u lodhur në avancimin e të drejtave dhe kushteve të popullatës autoktone shqiptare. Ky është edhe qëllimi i “Forumit Shqiptar”- thotë Çobi.
Ai thekson se do të vazhdojnë angazhimin maksimal për të përmirsuar ekonominë e zonave ku jetojnë shqiptarët, në mënyrë që të parandalohet largimi i të rinjëve, ndërsa sa i përket rezultatit në zgjedhje, ai shprehet i sigurtë për një rezultat të mirë.
“Jemi të bindur se qëndrojmë mirë. Kemi rezultatet pas nesh.”- thotë Çobi.