Malësia e ndarë në dy zona

Komuna e Tuzit në kuadër të Kryeqytetit, pasi ka shqyrtuar vërejtjet dhe sugjerimet nga debati publik i për legalizimin e objekteve ilegale, i mbajtur më 9 maj, ka hartuar dokumentin në të cilin janë dhënë konkluzionet sa i takon ndarjes së zonave dhe tarifave përkatëse.

Këtë dokument Komuna e Tuzit ia ka dërguar Ministrisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit për pëlqim.
Lajmin për këtë vendim e bëri të ditur për gazetën “Koha javore”, kryetari i Kuvendit, Fadil Kajoshaj.
Ai theksoi se administrata lokale ka arritur në përfundimin që Tuzi (Malësia) të ndahet në dy zona dhe jo në katër, siç ka qenë e propozuar më parë në projekt-vendimin për kompensimin e tokës ndërtimore për objekte të paligjshme.

“Zona 1, e cila përfshin pjesën fushore, do të bëjë pagesën e duhur në bazë të ligjit për legalizime dhe zona 2, që përfshin viset malore nga Hoti deri në Poprat, do të lirohet nga kjo taksë. Çmimi për tarifën mbi legalizime është caktuar në bazë të diskutimeve, sugjerimeve e vërejtjeve nga debati publik dhe kështu kryetarët e të gjitha klubeve të partive politike në vend, janë dakorduar të ketë vetëm një zonë dhe të mos ketë dallime, kurse çmimi për zonën 1 do të jetë 15 euro për 1metër katror”, u shpreh Kajoshaj.

Ai sqaroi se aktualisht kjo pagesë vlen vetëm për ato zona të cilat janë të urbanizuara, siç është Dheu i Zi dhe një pjesë e qendrës së Tuzit, kurse sa i takon pjesëve të tjera të paurbanizuara ende, banorët duhet të bëjnë paraqitjen e objekteve ilegale dhe të paguajnë tatimet vjetore të zakonshme, të definuara me ligj derisa ato të hyjnë në Planin Hapësinor Urbanistik.

Ndërkaq, Ministria e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit pritet të japë pëlqimin në këtë dokument i cili më pas do të paraqitet në seancën e Kuvendit të Komunës së Tuzit para këshilltarëve për votim.
Rikujtojmë se afati për paraqitjen e kërkesave për legalizim të objekteve ilegale përfundon më 15 korrik 2018. /t.u./

Shperndaje