Këshilltari i nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi Genci Nimanbegut, Ardian Mavriq, tha për televizionin Teuta se janë kryer të gjitha procedurat juridike për kthimin e ullishtës së Valdanosit dhe se tani pritet vendimi i Qeverisë së Malit të Zi. Sipas Mavriq, inicativa drejt qeverisë do të niset së shpejti dhe mbetet të shihet se si do të jetë vendimi i saj.
Ai përsëriti qëndrimin e Nimanbegut, i cili më herët kishte deklaruar se pa kthimin e Valdanosit, koalicioni shqiptar nuk do ti japë më përkrahje partive në pushtet. Mavriq shtoi se kthimi i Valdanosit, së bashku me komunën e Tuzit dhe Planin Hapsinor të Ulqinit, ishin pikat kyçe të marrëveshjes së koalicionit. Deri tani është realizuar miratimi i Planit Hapsinor kurse komuna e Tuzit pritet të formohet në vjeshtë të vitit 2018./TvTeuta/