Shqipëria dhe Mali i Zi po punojnë së bashku për studimin e fizibilitetit për Autostradën Adriatiko-Joniane, bën të ditur ATSH.
Nga ky studim pritet kryerja e një analize të detajuar mbi investimin e mundshëm, prioritetet e ndërhyrjes, me qëllim bërjen e një projekti financiarisht të mundshëm për t’u mbështetur.
Gjatë vizitës zyrtare në Podgoricë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri zhvilloi bisedime bilaterale me ministrin e Transportit dhe Marinës, Osman Nurkoviq dhe ministren e Ekonomisë, Dragica Sekuliq.
“Diskutuam në lidhje me projektet e infrastrukturës rrugore ku të dyja vendet kanë si projekt prioritar Autostradën Adriatiko-Joniane. Kemi marrë financimet e nevojshme për të bërë studimin përfundimtar të fizibilitetit. U njoha edhe me projektet e zhvillimeve infrastrukturore në Malin e Zi që ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në lidhjen me Shqipërinë. Ngrita problemet që kërkojnë vëmendjen e palës malazeze për kompletimin e rrugëve të tjera dytësore që lidhin pika të tjera kufitare me Shqipërinë”, theksoi ministri Gjiknuri.
Më tej, ai u ndal tek përpjekjet për krijimin e pikës së përbashkët kufitare edhe në Han të Hotit, njësoj siç tashmë funksionon në Muriqan.
“Ka hapa konkret dhe besoj se shumë shpejt edhe kjo gjë, me angazhimin e qeverive dhe institucioneve përkatëse do të bëhet realitet. Gjithashtu pala malazeze na njohu me një projekt zhvillimor për gjithë pjesën e liqenit të Shkodrës, një projekt të integruar ku përfshihen edhe elementët e turizmit, bujqësisë, navigimit. Mendoj se ky është një projekt që duhet ta shtyjmë përpara”, nënvizoi Gjiknuri.
Në takimin me Ministren e Ekonomisë që mbulon dhe pjesën e energjetikës, Gjiknuri u ndal tek angazhimi për projektin e përbashkët të gazsjellësit Jonian Adriatik Pipeline (IAP).
“Kemi vendosur për krijimin e një kompanie të përbashkët për projektin IAP. Në këtë mënyrë mund ta promovojmë tek investitorët e mundshëm dhe besoj se shumë shpejt kjo gjë do të konkludohet përpara mbledhjes së qeverive të dy vendeve që është parashikuar për në pranverën e ardhshme”, theksoi Gjiknuri.