Sinishtaj: Gjeloshaj dhe Nimanbegu kanë njëqind arsye për të votuar kundër qeverisë

Driton Sinishtaj në pyetjen tonë rreth aktivizimit të rinjëve në politikë është shprehur se në strukturat drejtuese ka të rinj, por konkurenca mes brezash është shumë e madhe dhe ndonjëherë në vend të këshilluesit bëhën pengesë për të punuar, për të shpalosur ide, për të treguar energjinë që e karakterizon një të ri.

“Një ndër gjërat pozitive të dekadës së fundit është dëshira dhe vullneti i madh i të rinjve malësorë për t’u shkolluar. Patëm një periudhë të errët, ku për shumë arsye, të rinjtë e Malësisë nuk kishin si synim kryesor shkollimin, mirëpo tani gjërat kanë ndryshuar. Shumë të rinj po shkollohen në universitete të ndryshme, në drejtime të ndryshme dhe kjo me siguri është diçka mjaft pozitive edhe pse duhet theksuar fakti se problemet nuk marrin fund me zotërimin e një diplome.

E bëra këtë hyrje për të treguar se sot shumë të rinj kanë kapacitet, ide dhe energji për t’u aktivizuar jo vetëm në politikë, por edhe në fusha të tjera. Kur është fjala veçanërisht për politikë, në qoftë se flasim me shembuj konkretë, shohim se në parti politike sidomos në ato shqiptare, në strukturat drejtuese ka të rinj. Në partinë ku marr pjesë unë, mosha mesatare e kryesisë është rreth tridhjetë vjeç. Po ashtu përfaqësuesi i partisë sonë në Parlamentin e Malit të Zi është pak më shumë se tridhjetë vjeç. Të rinjët kanë detyra të rëndësishme dhe përgjegjësitë e veta. Mora një shembull konkret, por jam në dijeni që edhe në partitë e tjera ka të rinj, që janë shumë të përgatitur e punëtorë, djem dhe vajza shembull, që mund të bëjnë shumë, por që duhet shumë punë, në mënyrë që shkallë-shkallë të fitosh atë që kërkon dhe meriton. Nuk duhet harruar se jo vetem tek ne, por edhe në vendet e tjera konkurenca mes brezash është shumë e madhe dhe ndonjëherë në vend të këshilluesit bëhën pengesë për të punuar, për të shpalosur ide, për të treguar energjinë që e karakterizon një të ri. Duhet të jemi në mënyrë të veçantë faktor i brendshëm partiak e të mos pajtohemi me dukuritë dhe vendimet që nuk na pëlqejnë. Në partitë, pjesë të të cilave jemi ne, mjaft gjëra nuk bëhen ashtu siç duhet, por ne duhet të gjejmë zgjidhje për t’i përmirësuar ato. Kritika dhe mendimi i ndryshëm janë efektive, por gjithmonë atyre duhet t’u bashkangjisim edhe idenë apo alternativën tonë, për të sugjeruar zgjidhjen e çështjeve të caktuara në mënyrën më të mirë. Kritika pa alternativa është kritikë boshe”.

Në pyetjën tonë se cila është zgjedhje më e mirë partitë politike nacionale apo qytetare ai shprehet.

“Kur është fjala për parti politike nacionale apo qytetare, unë do të thoja nacionale. Kam bërë këtë zgjedhje dhe nuk mund t’i sugjeroj dikuj tjetër të veprojë ndryshe. Mendoj se në partite nacionale hapësira e veprimit është më e madhe dhe prioritetet janë qartësisht të përcaktuara. Mendoj se përparësi kryesore në politikën tonë duhet të kenë problemet kombëtare duke mos u shpërndarë shumë politikisht , por dhe pa neglizhuar ndikimit tonë edhe në politikën qendrore”.

Kur është fjala për pushtetin lokal në Tuz, Sinishtaj është tejet i pakënaqur dhe kritik duke u shprehur se situata është më e dhimbshme nga sa mund ta imagjinojmë. Ndërsa për opozitën thotë se është e pakoordinuar dhe se i mungon një strategji e përbashkët.

“Pushteti lokal në Tuz përbën me siguri një rast të veçantë, një strukturë të tërë institucionale që konkretisht nuk bën asgjë. Këtë e them me siguri të madhe, pasi përveç procedurave administrative, jashtë godinës së KU Tuz ndikimi i tij është i pakonsiderueshëm. Kjo është e dhimbshme, në fakt është më e dhimbshme nga sa mund ta imagjinojmë. Ndoshta ka qenë e projektuar e tillë, që të ekzistojë vetem si godinë dhe të mos ketë asnjë lloj funksioni në shërbim të qytetarëve. Administrimin e kësaj komune e ka provuar edhe opozita e sotme, por rezultati ka qenë i njëjtë, përveç se sot në ndryshim nga dje ky institucion vendor shfrytëzohet edhe për qëllime politike. Nga ana tjetër opozita duket shumë e pakoordinuar. Është për të ardhur keq që 7 këshilltarët e subjekteve nacionale nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe veprojnë të ndarë. Kanë të gjithë hapësirën e mundshme për të kritikuar punën e pushtetit aktual, por mungon një strategji e përbashkët, një unitet rreth disa ideve të cilat janë në thelb të njëjta, por që interpretohen ndryshe. Kuvendi i KU Tuz duhet të jetë një arenë lokale debati, ku parashtrohen ide për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe jo për ta bërë atë më të vështirë”.

Për arsye se gjatë muajve të fundit ka patur disa ngjarje lidhur me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi ne kemi kërkuar opinionin e Sinishtaj mbi punën e KKSH.

“Për sa i përket KKSH-së, mendoj se nuk po e bën punën e vet në mënyrën e duhur. KKSH-ja duhet të mbështesë unitetin kombëtar mbipartiak, ku më së paku të kenë ndikim partitë politike, por në fakt është një institucion tërësisht politik, ku zgjedhja e anëtarëve, vendimet dhe e gjithë puna bëhët në bazë të interesave dhe marrëveshjeve politike. KKSH-ja ka qenë një sprovë e madhe institucionale për shqiptarët në Mal të Zi dhe për fat të keq kemi treguar se të vetmin institucion që na është lënë në administrim e kemi politizuar në masë të madhe duke e tjetërsuar dhe duke e bërë një fole të interesave të ulëta poltike, që shkel rregullat e veta për të plotësuar orekset politike të grupacioneve të ndryshme”. është shprehur Sinishtaj.

Në pyetjën tonë për vlerësimin e qeverisë Gjukanoviq ai është shprehur i pakënaqur duke thënë se kur bëhet fjalë për shtyllat kryesore që e bëjnë një qeveri të sukseshme atëherë nuk kemi çfarë të vlerësojmë për këtë qeveri

“Kur është fjala për politikat e brendshme shtetërore, mund të them me bindje se vlerësimi im për qeverinë Gjukanoviq nuk është pozitiv. Mali i Zi është një vend që për disa vite me radhë është në staniacion, nuk ka asnjë ndryshim, vendet e punës po shkurtohen dita-ditës, për vende të reja pune as që bëhet fjalë, ekonomia është totalisht në kolaps, është shitur dhe po vazhdon të shitet çdo gjë, borxhi vazhdon të rritet, varfëria po ashtu, premtimet dhe projektet për zhvillim nuk realizohen, korrupsioni rritet, gjykatat nuk funksionjnë. Megjithëse ka patur ndonjë lëvizje pozitive lokale, por kur bëhet fjalë për shtyllat kryesore që e bëjnë një qeveri të sukseshme atëherë nuk kemi çfarë të vlerësojmë për këtë qeveri. Kur është fjala për politikën e jashtme, e vetmja gjë pozitive ka qenë insistimi dhe vendosmëria për t’u integruar në NATO edhe përkundrejt presioneve të mëdha që ka patur. Është dashur më shumë punë dhe përpjekje për një zhvillim të brendshëm edhe pse ka mjaft vend për të debatuar. Është e vërtetë se nuk mund të bëhet një përmbledhje e një mandati qeverisës me disa fjali, por është lehtësisht e dukshme se ndryshime pozitive të rëndësishme nuk ka patur”. shprehet Sinishtaj

Një ndër temat e diskutimit tonë ka qenë edhe çështja e votbesimit të qeverisë ku Sinishtaj është shprehur se votat e deputetëve shqiptarë deri më tani nuk janë vendimtare por që deputeti Gjeloshaj ashtu edhe deputeti Nimanbegu kanë njëqind arsye se pse duhet të votojnë kundër kësaj qeverie.

“Votëbesimi i qeverisë është një veprim politik legjitim, tërësisht i natyrshëm në vendet demokratike. Por, në mungesë të një demokracie të konsoliduar, ku legjitimiteti dhe përkrahja nuk janë vënë në diskutim nga qeveria, kësaj që po ndodh tani po i jepet një rëndësi ndoshta më e madhe sesa duhet. Ndoshta e gjithë kjo vjen nga frika e humbjes së pushtetit, por për mendimin tim është një proces pozitiv që duhet të aplikohet më shpesh.
Kur është fjala për qëndrimin e deputeteve shqiptarë, deri më tani vetëm deputeti Nimanbegu ka deklaruar votën pro, ndërsa deputeti Gjeloshaj ka shprehur mendimin e tij me kushtëzim të votës. Ekzistojnë disa teza dhe ka vend mjaftueshëm për të debatuar. Disa mendojnë se ky moment duhet shfrytëzuar në favor të shqiptarëve, disa të tjerë mendojnë se duhet abstenuar, ndërsa të tjerë mendojnë se është momenti i duhur për të dhënë votën kundër. Një gjë duhet të kemi të gjithë parasysh, votat e deputetëve shqiptarë deri më tani nuk janë vendimtare. Për të mbajtur qeverinë duhen 41 vota dhe deri më tani bashkë me votën e deputetit Nimanbegu të deklaruar pro janë 38 deputetë. Për mendimin tim votat e deputetëve shqiptarë numerikisht janë të parëndësishme në këtë vendim, por si deputeti Gjeloshaj ashtu edhe deputeti Nimanbegu kanë njëqind arsye se pse duhet të votojnë kundër kësaj qeverie. Premtimi për Komunën e Malësisë, Valdanosi, të Mirat Detare, e shumë e shumë premtime të tjera të parealizuara për vite të tëra janë arsyeja pse duhet të votojnë kundër. Një gjë mund të them me siguri, se në Kryesinë e ASH-së në momentin e diskutimit për këtë çështje unë do të mbroj deri në fund arsyetimin tim duke argumentuar se pse deputeti i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj duhet të votojë kundër në datën 25 janar.”

“Vota kundër duhet të shikohet edhe në aspektin e kontributit politik që në këtë moment deputetët shqiptarë mund të japin për demokratizimin e vendit.

Është tejet e papranueshme që akoma pas 25 vitesh drejtohemi nga po të njëjtit njerëz. Në demokratizimin dhe ndryshimin e vendit shoqëria në Mal të Zi ka treguar më kohë se është shumë e vonuar. Gjithsesi mendoj se shqiptarët nuk mund të bëjnë ndryshime të mëdha në skenën politike në Mal të Zi, por mund të bëhen pjesë e ndryshimeve të mëdha, duke dhënë kontributin e tyre ndonjëherë edhe modest por shumë të rëndësishëm në shërbim, fillimisht të vendit dhe popullit të vet dhe pastaj edhe të gjithë shoqërisë në Mal të Zi”.

“Pavarësisht situatës politike dhe asaj çfarë do të ndodhë pas 25 janarit, zgjedhjet parlamentare janë shumë afër, kështu që asnjë nuk mund të përfitojë politikisht as institucionalisht nga kjo situatë dhe zgjidhja më e mirë e mundshme do të ishte një qeveri teknike që përveç të tjerash do të mundësonte organizimin e zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme që do të plotësonin standardet demokratike, që për fat të keq këto standarde gjatë kësaj kohe kanë munguar. Në këtë situate, shqiptarët duhet të punojnë shumë për t’u afruar me njëri-tjetrin në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të tregojnë pjekuri politike duke lënë anash inatet personale dhe duke u nisur nga parimi i të mirës së përbashkët dhe jo asaj individuale”. është shprehur Driton Sinishtaj

Në fund stafi i malësia.ME falenderon z. Sinishtaj për bashkëpunimin duke i uruar sukses në karierën e tij.

(Driton Sinishtaj ka qenë kandidat i ASH për Këshilltar në Kuvendin e KU Tuz në zgjedhjet e fundit lokale, anëtarë i Kryesisë së ASH, Kryetar i Alternativës Rinore, është i diplomuar në Universitetin Europian të Tiranës Master Shkencor për Marrëdhënie Ndërkombëtare.)

Shperndaje