Disa nga zhvillimet kryesore ndër shqiptarët në Mal të Zi gjatë vitit 2019

Vit i ngjarjeve historike

Pas një periudhe kremtimi festash e përmbyllëm edhe një vit për të filluar një vit të ri ku sërish duhet t’i rikthehemi rutinës së përditshme të punëve të cilat na presin gjatë këtij viti në vazhdim. Duhet pohuar se viti 2019 ka shënuar ngjarje të rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi të cilat janë për t’u rënditur dhe klasifikuar si të arritura historike.

                         Arritja e statusit të pavarur të Komunës së Tuzit

Nëse do të riktheheshim për të analizuar dhe vështruar ngjarjet më të rëndësishme që kanë ngjarë ndër shqiptarë në Mal të Zi gjatë vitit që lamë pas do të mund të veçonim fillimisht arritjen e statusit të pavarur të Komunës së Tuzit e cila duhet konsideruar si një ngjarje historike për faktin se pas tre dekadash përpjekje të vazhdueshme të të gjitha subjekteve të partive politike shqiptare në Mal të Zi, e së fundmi me angazhimin e koalicionit “Shqiptarët e vendosur” – Forca, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare, Komuna e Tuzit e fitoi zyrtarisht statusin e komunës së pavarur pas 62- vitesh. Kështu, Komuna e Tuzit me 1 shtator 2019, kremtoi Ditën e Komunës me statusin e Pavarur, e shkëputur nga kryeqyteti Podgoricë. Data 1- Shtator tani e tutje do të jetë Dita e Komunës së Tuzit. Rikujtojmë se miratimi i këtyre ligjeve dhe ndryshimi i statusit të komunës, ka qenë kusht i marrëveshjes ndërmjet Partisë Dekomratike të Socialistëve dhe koalicionit “Shqiptarët e vendosur” për të qeverisur në nivelin shtetëror. Ligji në fjalë ishte votuar në Kuvendin e Malit të Zi në prill të vitit 2017.   

                       Unifikimi i faktorit politik shqiptar në zgjedhjet e  3 marsit

Sërish viti 2019 shënoi zhvillime historike për shqiptarët në Mal të Zi. Kështu gjatë vitit të kaluar arriti të unifikohet faktorit politik shqiptar në Tuz – Malësi, të cilët pas një sërë negociatash të ndërsjella, firmosën Memorandumin e Bashkëpunimit për të dalë me një listë të përbashkët në zgjedhjet lokale të 3 marsit. Marrëveshja u arrit ndërmjet Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve, të cilët e emërtuan koalicionin e tyre “Forumi shqiptar”. Si rezultat i këtij unifikimi, koalicioni “Forumi Shqiptar” arriti të siguroj plot 16 këshilltarë nga 32 sa ka gjithsejtë kuvendi komunal dhe me mbështetje të një këshilltari të Demokratëve arritën të formojnë shumicën qeverisëse  të cilës më pas iu bashkëngjit edhe Partia Boshnjake. Rikujtojmë se këto ishin zgjedhjet e para për komunë të plotë të Tuzit. Bashkimin dhe fitoren e subjekteve politike shqiptare e përshëndetën zyrtarë dhe figura të njohura politike e publike anekënd trojeve shqiptare dhe nga diaspora.

                            Shpallja e Kripores së Ulqinit, Park i Natyrës

Viti 2019 ishte fatlum edhe për Kriporen e Ulqinit. Në qershor të këtij viti, në seancën e kuvendit të Komunës së Ulqinit, me 24 vota për, 1 kundër dhe 1 të përmbajtur, kjo  kripore u shpallë Park i Natyrës. Me këtë vendim, Komuna e Ulqinit mori detyrimin që ta mbrojë dhe ta ruaj këtë resurs të rëndësishëm natyor me një sipërfaqe prej 15 milionë metër katrorë.

Miratimi i Ligjit për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare

Po në vitin 2019 u aprovua propozimi i Ligjit për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare, Ligj i cili u garanton pakicave kombëtare të drejtën dhe lirinë e zgjedhjes, përdorimit dhe vendosjes publike të simboleve kombëtare dhe shënimin e festave kombëtare. Në kuadër të këtij ligji është hequr neni 23 i Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike i cili sanksiononte përdorimin edhe të flamurit kombëtar shqiptar në Mal të Zi.

Ky Ligj është miratuar në seancën e 28 dhjetorit 2019 të Parlamentit të Malit të Zi me dyzetenjë vota pro. Miratimin e këtij Ligji e kanë përshëndetur ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi, Z. Mehmet Zenka, nënkryetari i kuvendit të Malit të Zi. Z. Genci Nimanbegu, presidenti i Shqipërisë Z. Ilir Meta, presidenti i Kosovës Z. Hashim Thaçi,  ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi Z. Ridi Kurtezi, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Z. Ditmir Bushati dhe zyrtarë të tjerë.

                      Vendosja e bustit të Gjergj Kastriotit – Skendërbeut në Triesh

Në Triesh të Malësisë, në tetor të 2019-tës u bë zbulimi i bustit të kryeheroit  kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i vendosur pranë shkollës 9- vjeçare që mban të njëjtin emër.

Në këtë ngjarje historike për Trieshin dhe Malësinë, qenë të pranishëm numër i madh i publikut të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi dhe nga diaspora, por edhe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, mes të cilëve figura politike e autoritete të fushave të ndryshme. Vendosja e Bustit të Skënderbeut në Triesh u jetësua nga Fondacioni Humanitar “Trieshi” në Shtete të Bashkuara të Amerikës. Busti i figurës qendrore të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit Skendërbeut pas shumë shesheve të qyteteve të mëdha shqiptare, evropiane dhe botërore tani e tutje do të qendrojë edhe në Triesh.

Këto zhvillime që ndodhën në vitin e kaluar duhen përshëndetur dhe përgëzuar, mirëpo pritshmëritë nuk përfundojnë këtu dhe besojmë dhe shpresojmë se edhe gjatë vitit 2020 angazhimi i faktorit politik shqiptar në Mal të Zi do të orientohet drejt përmirësimit dhe avancimit të përgjithshëm të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi./KohaJavore/                                                                                                                                

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!