Sulm me bombë në Ambasadën Amerikane në Podgoricë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë është sulmuar me bombë nga një person i panjohur, natën mes të mërkurës e të enjtes, pak pas mesnatës.

Sulmuesi, pasi e ka hedhur bombën në oborrin e ambasadës, është vetëvrarë duke e aktivizuar një mjet tjetër shpërthyes, para ndërtesës së ambasadës.

Askush nga personali i ambasadës nuk është lënduar dhe as ndërtesa nuk është dëmtuar.

“Gjysmë ore pas mesnate, përpara ndërtesës së Ambasadës së SHBA-së, një person ka bërë vetëvrasje me një mjet shpërthyes. Para se të vetëvritej, nga udhëkryqin te Qebnra Sportive, ai e ka hedhur një mjet shpërthyes në oborrin e ambasadës. Sipas të gjitha gjasave, bëhet fjalë për një bombë dore”, ka kumtuar Qeveria e Malit të Zi përmes rrjetit social Twitter.

Zëdhënësi i Ambasadës amerikane, Jeff Adler, ka konfirmuar sulmin në ambasadë dhe ka bërë të ditur se zyrtarët e ambasadës po punojnë bashkë me policinë malazeze në identifikimi e sulmuesit.

“Ambasada po zhvillon procerurat interne për forcimin e sigurisë për personalin e vet”, ka thënë Adler, citon portali “Vijesti”.

Trafiku në këtë pjesë të qytetit është i bllokuar dhe një numër i madh i anëtarëve të Njësisë Speciale sigurojnë ndërtesën.

Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.

“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e saj.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!