Biznesmeni shqiptar Bashkim Ulaj ndërton qendër të skijimit në Kollashin

Biznesmeni shqiptar Bashkim Ulaj, dhe ai malazias Zoran Qeqo Beqiroviq, bëhen qiramarrës në 90 vjet të 272 000 metrave katrorë të tokës te qendra “Ski resort Kollashin 1600”, përfshirë të drejtat e ndërtimit të hotelit, vendbanimit turistik dhe vila e apartamente për shitje, shkruan e përditshmja e Podgoricës, “Vijesti”.

Buxheti shtetëror nga kjo punë do të fitojë 10 centë nga një metër katror të tokës së marrë me qira dhe 0,1 % nga fitimi neto i investuesit. Kjo do të thotë 27.000 euro në vit dhe nga njëmijë euro nga secili milion, të cilin e fitojnë këta dy biznesmenë.

Sipas kontratës të cilën Qeveria e kishte aprovuar nga fundi i korrikut, ofertuesit e vetëm për qiramarrje të kësaj toke atraktive është konsorciumi i firmave Gener 2 nga Tirana, pronar i të cilit është Ulaj dhe “Ski resort Kollashin 1600” nga Kollashini, në të cilin 85% të pronësisë e ka firma qipriote Caldero Trading Limited , e lidhur me Beqiroviqin. Sipas informatave të gazetës “Vijesti” Ulaj është pronari kryesor dhe ai nga Qiproja është pronar minor në bazë të “idesë dhe mundësimit të projektit”,

Kontrata mbi qiradhënien i është dërguar Kuvendit të Malit të Zi për aprovim.

Bashkim Ulaj një nder biznesmenët me të fuqishëm shqiptar

Mediat shqiptare pasurinë e Ulajt e vlerësojnë në 350 milionë euro. Kompania e tij Gener 2 merret me ndërtimtari, energjetikë, telekomunikime dhe me turizëm, por edhe me biznes me media, meqë me CNN-in amerikan në Shqipëri është duke e themeluar televizionin A2. Ulaj po ashtu është duke e shtrirë biznesin e tij nëpër vende të rajonit, Në Kroaci e ka themeluar kompaninë Albau, e cila është duke e ndërtuar hotelin luksoz në rrugën Prashka, në qendër të Zagrebit.

Sipas kontratës investuesi duhet menjëherë të paguaj qiranë për 10 vite përpara, respektivisht 272,000 euro, ndërsa brenda 4 viteve duhet të investojë 12,8 milionë euro në hotel dhe në vendbanim me apartamente e vila, në fazën e parë të projektit “Klaster 1”. Qeveria në bazë të kontratës i mundëson shitjen e patundshmërive të ndërtuara në tokë shtetërore me kusht që blerësi vlerën e truallit t’ia paguaj shtetit.

Qeveria e Malit të Zi investon nëntë milionë euro në qendrën e skijimit dhe në infrastrukturë të vendbanimit të ardhshëm. Teleferikun e ri është duke e ndërtuar konzorciumi i firmave Eminent nga Podgorica dhe Doplmajer nga Austria, ndërsa afati i përfundimit është fundi i këtij viti. Para pak kohe këtë kantier ndërtimi e kishte vizituar kryeministri Dushko Markoviq, i cili i ka kritikuar realizuesit e ndërtimeve për vonesat gjatë ndërtimit, duke thënë që ai personalisht do ta përcjellë dinamikën e realizimit të punimeve. Qendra e skijimit do të mbetet në pronësi shtetërore, respektivisht të ndërmarrjes shtetërore ‘Skijalishta Crne Gore’, por ekziston e edhe mundësia që të jepet edhe ajo me qira ndonjë personi tjetër privat.

Sipas kontratës mbi qiradhënie të tokës në “Skijalishte 1600” investuesi obligohet që në afat njëvjeçar ta përfundojë dokumentacionin teknik, ndërsa Qeveria obligohet “që t’ia ofrojë qiramarrësit ndihmën e nevojshme gjatë procesit të marrjes së lejes së ndërtimit, e në bazë të cilës do të fillojë ndërtimi sipas ligjit.”Qeveria po ashtu ka marrë obligimin që të ndërmjetësojë me qëllim që investuesit t’ia lehtësojë marrëveshjet me organet dhe ndërmarrjet përkatëse lidhur me furnizim më ujë, energji elektrike dhe lidhur me shërbime të tjera komunale, të cilat janë të nevojshme për realizimin e punimeve si dhe që të ia mundësojë investuesit shkurtimin e procedurave lidhur me punësimin e punëtorëve të huaj për nevoja të ndërtimeve,

Lokacioni i cili është dhënë me qira gjendet rrëzë malit Bjellasica, 12 km nga qendra e Kollashinit dhe 2,3 km. nga qendra ekzistuese e skijimit “Kolashin 1450”. Në bazë të dokumentit të planifikimit hapësinor është planifikuar që në këtë lokacion mund të ndërtohet hoteli me sipërfaqe prej 74.000 metra katrorë. Në të njëjtin dokument ceket që lokacioni është atraktiv meqë afër kalon autoudha Tivar-Bolare dhe se prej aty udhëtohet 35 minuta deri te aeroporti i Podgoricës. “

Firma e Beqiroviqit “Bepler i Džejkobson” në vitin 2007 e kishte blerë për 550.000 euro pronën e qendrës së skijimit ‘Jezerine’, që ishte në falimentim. Kjo pronë përfshinte 147.000 metra katrorë truall si dhe teleferikun dhe tre ski lifta, dy restorante, ujësjellësin, makinën për mirëmbajtjen e terreneve të skijimit dhe e tërë kjo pasuri, që ishte pronë e aksionarëve të vegjël, u shndërrua në një ndërmarrje të vetme me 99% të aksioneve në pronësi të Beqireviqit.

Çmimi i metrit katror 1.225 euro, fjetja minimum 80 euro

Investuesi është i obliguar që brenda katër vitesh t’i përfundojë projektet nga plani “Klaster 1”, i cili përfshin hotelin me 267 shtretër dhe apartamentet me 176 shtretër. Nëse e përfundon këtë fazë me sukses, mund të vazhdojë me projekte të tjera, por mund edhe të drejtat t’ia kalojë tjetërkujt.

Në fazën e dytë parashihet ndërtimi i vendbanimit me vila dhe apartamente me gjithsej 348 shtretër, ndërsa në fazën e tretë do të ndërtohen vilat dhe apartamentet me 524 shtretër. Në fazën e katërt do të ndërtohet hoteli me 639 shtretër dhe apartamentet me 532 shtretër. Investimi i përgjithshëm për 4 fazat vlerësohet në 77,32 milionë euro. Vendbanimi planifikohet të ketë 2.486 shtretër.

Investuesit i është lënë mundësia e ndryshimit të planit në pajtim të planit të rregullimit shtetëror.

Punimet ndërtimore në fazën e dytë planifikohet të zgjasin tri vjet pas përfundimit të fazës së parë, ndërsa faza e tretë dhe e katërt do të zgjasin nga katër vjet. Kjo do të thotë se ndërtimi i tërë vendbanimit mund t ë zgjasë 15 vjet, por mund të zgjasë edhe më shkurt nëse punët kryhen në mënyrë paralele,

Në analizë të projektit, të cilën e ka bërë Qeveria e Malit të Zi, parashihet që çmimi i patundshmërive në këtë lokacion do të rritet dhe që vlera reale e metrit katror të apartamenteve në shitje, pas përfundimit të ndërtimit, do të jetë 1,225 euro, si dhe që qëndrimi në hotel do të jetë rreth 120 euro në ditë, e në apartamente 80 euro në ditë.

Gjatë ndërtimit të të gjitha katër fazave mund të punësohen rreth 350 punëtorë, ndërsa pas përfundimit të ndërtimit do të punësohen 40 deri 80 punëtorë në punë permanente apo të përkohshme./PlaveGuciaSot/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!