Osman Kallaba, ullishtari i vetëm nga Mali Zi fitues i dy medaljeve të arta

0

Gjekë Gjonaj

Se në Komunën e Ulqinit prodhohet  vaji ekstra virgjër  i ullirit  të cilësisë së lartë  dëshmojnë dy medaljet e arta për cilësi  të cilat  i mori  ullishtari i njohur , Osman Kallaba, nga fshati  Zheji i Anës së Malit   në Manfestimin Ndërkombëtar të Ullishtarëve dhe Prodhuesve të Vajit të Ullirit “Noqnjak 2020”, i cili u mbajt në Zarë të Kroacisë. Konkurrenca ishte shumë e fortë me më se 420 mostra të vajit të ullirit, kryesisht nga rajoni. Më së shumti mostra ulliri kishte nga Kroacia, Slovenia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Në këtë manifestim morën pjesë 11 ullishtarë me produktet e veta organike nga Mali i Zi mes të cilëve 7 nga Ulqini, 2 nga Tivari dhe nga një nga Podgorica dhe Sveti Stefani. Të gjithë ullishtarët konkurruan me nga një mostër, të cilat u vlerësuan nga ekspertët ndërkombëtarë.  

Laureati nga Ulqini  i dy  çmimeve më prestigjioze shprehet  se ndjehet shumë i kënaqur dhe i vjen mirë që vaji i tij ekstra virgjër “ Ulqini”  u  vlerësua nga ekspertë ndërkombëtarë dhe se  produkti i tij organik  mori vendin e parë në këtë manifestim. Ullishtari  në zë Kallaba  sivjet  dëshmoi  edhe një herë se vaji i tij i ullirit tashmë radhitet ndër vajet më të njohura   për cilësi në rajon .

Shembulli i këtij ullishtari të licensuar,   73 vjeçar, tregon se prodhimi i vajit të ullirit  në Ulqin ka një traditë të gjatë dhe të pasur. Përveç kësaj ai tregoi se  me sukses po  vazhdon  traditën e ullishtarëve të njohur të kësaj komunë. “ Dy medaljet  të arta nuk janë vetëm të miat, por edhe të ullishtarisë së Ulqinit , nga e cila mora  gjënë më të rëndësishme, e ajo është dashuria për ullirin”, thotë me modesti e sinqeritet Kallaba.  Ai edhe viteve të mëparshme është shpërblyer me çmime të larta e të vlefshme në manifestime ndërkombëtare të ullishtarëve dhe prodhuesve të vajit, mirëpo  kjo është hera e parë që fitoi dy medlaje të arta për  cilësi të vajit të ullirit.

Shpërblimet e sivjetshme    fitojnë  në peshë  për faktin se  Osman Kallaba  ishte ullishtari i vetëm  nga Mali  Zi  i  cili    qytetit të   tij  të lindjes i  solli një dhuratë kaq të madhe, me të cilën duhet të ndjehen krenar të gjithë banorët e tij, dhe jo vetëm.  Me produktin e tij të klasit të parë  ai njëkohësisht po afirmon  edhe Ulqinin edhe Malin e Zi jashtë  kufijëve të tij. Mirëpo është për të ardhur keq  për pakujdesjen dhe mosmbështetjen  e Komunës së  Ulqinit  dhe Ministrisë së  Bujqësisë,  të cilat , siç pohon Kallaba, përveç në fillimet e tij, nuk e kanë përkrahur  financiarisht    asnjeherë tjetër.

Osman Kallaba është  shembull i vërtetë se si një njeri entuziast e punëtor i palodhshëm në moshë të thyer, një emigrant nga Nju-Jorku, përndryshe biznesmen dhe aktivist i  dalluar i çsëhtjes komëbëtare me banim shumëvjeçar në SHBA ,  mund të arrijë majat e suksesit në një profesion të panjohur sa duhet deri para pak vitesh, kur nuk mumngon dëshira e madhe dhe vullneti i lartë.  

error: Të drejtat e rezervuara !!